Macut me ambasadorët e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën: Beogradi është i përkushtuar në dialog, por kurrë nuk do të heqë dorë nga krahina e saj jugore

macut ambasadori
Burim: Kancelarija za saradnju s medijima Vlade Republike Srbije

Kryetari i Qeverisë së Sërbisë Gjuro Macut ka qenë sot mikpritës në drekën dedikuar për ambasadorët e shteteve që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe falenderoi përfaqësuesit e çdo shteti në luftën e përbashkët për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Sërbisë dhe në respektimin e të drejtës ndërkombëtare.

Macut theksoi se Sërbia miqtë e vet nuk i harron dhe ngelet aleate e besueshme në përpjekjet e përbashkëta që të respektohen parimet në të cilat mbështetet Kombet e Bashkuara dhe mbarë rendi ndërkombëtar, deklarohet nga Zyra për Bashkëpunim me Mediat.

“Lufta jonë e përbashkët për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit njëkohësisht është dhe luftë për ruajtjen e themeleve të Kartës së KB dhe të drejtës ndërkombëtare”, tha Macut.

Sipas fjalëve të tij, situata në Kosovë është mjaft serioze dhe sulmet e përditshme ndaj popullit sërb, mes të cilave janë heqja e padrejtë e lirisë dhe mohimi i të gjitha të drejtave humane, tregon qartë se synimi i pushtetit në Prishtinë, sikurse tha, është krijimi dhe mbajtja e kushteve të papranueshme të jetesës në Kosovë për të dëbuar popullsinë e mbetur joshqiptare.

Ai vuri në dukje veçanërisht dhe se për më shumë se 13 vite sërbët kanë pritur formimin e Bashkësisë së Komunave Sërbe si mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave të tyre individuale e kolektive.

“Shfrytëzoj rastin që të ripërsëris se kjo është e detyrueshme dhe paraqet një pjesë të Marrëveshjes së Brukselit”, vuri në dukje kryetari i Qeverisë së Sërbisë dhe u bëri thirrje të gjithë miqve të Sërbisë që të vazhdojnë të ushtrojnë presion tek Prishtina për të përmbushur detyrimet që ka.

Macut theksoi se Beogradi qëndron i përkushtuar në procesin e dialogut, por që “kurrë nuk do të heqë dorë nga krahina e saj jugore”.

“Republika e Sërbisë ngelet mike dhe mund të përllogarisni ndihmën tonë në çdo fushë që ju nevojitet”, u tha kryeministri ambasadorëve dhe të ngarkuarve me punë të Marokut, Brazilit, Algjerisë, Kamboxhias, Iranit, Bosnjë-Hercegovinës, Argjentinës, Mianmarit, Indonezisë, Azerbajxhanit, Venezuelës, Tunizisë, Palestinës, Kubës, Federatës Ruse, Irakut, Kinës, Kazakistanit, Ganës, Bjellorusisë dhe Selisë së Shenjtë.