Macut në Tiranë: Serbia është në rrugë të mirë në procesin e anëtarësimit në BE

Đuro Macut
Burim: Instagram

Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, theksoi sot se Serbia është në rrugë të mirë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe se ka ruajtur pozicionin e saj si partner i rëndësishëm në të gjithë procesin.

Macut, pas pjesëmarrjes në Samitin për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor në Tiranë, theksoi se ka ardhur koha t’u dërgohet një mesazh i mirë qytetarëve të Serbisë dhe që më në fund të hapet Klasteri 3 në negociatat me BE-në.

Ai përcolli se në takimin në Tiranë kanë dominuar temat ekonomike dhe çështja e lidhjes së transportit.

“Mendoj se kanë dominuar temat që prekin të gjithë qytetarët, gjërat që janë të rëndësishme për ta. Mendoj se Serbia është në një rrugë të mirë, se kemi përmbushur një përqindje të mirë të elementeve të anëtarësimit, dhe se deri në fund të vitit do të përmbushim gjithçka që kemi planifikuar. Patëm mundësi të bisedonim për tema si zona e roamingut të lirë në rajon, që është shumë e rëndësishme”, theksoi Macut.

Ai shtoi se është rënë dakord të propozohet një metodologji e re e llogaritjes së kohës për kamionët që udhëtojnë në hapësirën Shengen.

Sipas tij, ky propozim do t’i dorëzohet Komisionit Evropian nga vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku me Mbretërinë e Bashkuar.

“Serbia ka ruajtur një pozicion strategjik dhe një raport të njohur si partner i mirë ndaj BE-së në të gjithë procesin”, nënvizoi kryeministri.

I pyetur kur pritet të fillojnë pagesat nga Plani i Rritjes, ai u përgjigj se, me përmbushjen e kushteve, pagesat e para janë planifikuar për fillimin e vitit të ardhshëm.

“Kjo u theksua nga përfaqësuesit e BE-së në këtë takim. Mendoj se në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm do të kemi përgjigje për këtë çështje”, tha Macut.

Sa i përket integrimeve evropiane, kryeministri tha se Serbia i ka përmbushur teknikisht të gjitha kushtet, por se mbetet një vendim politik në anën e BE-së.

Sa i takon modeleve të integrimit të vendeve candidate, nga ai gradual e deri te anëtarësimi i plotë, Macut tha se kjo është një çështje “që ende mbetet pezull”.

“Bashkimi Evropian është në transformim të ideve të veta. Ne jemi një vend që ka pësuar vazhdimisht ndryshime të kushteve të anëtarësimit. Ne duhet vetëm të punojmë me përkushtim dhe të përpiqemi të gjejmë pika të përbashkëta dhe të marrim mbështetjen e të gjitha vendeve”, përfundoi Macut.