Milletiq: Radomiroviqi më vuri flaken tek autovetura, Lista Serbe nuk ka lidhje me këtë

Miletić
Burim: Reporteri

Dragana Milletiq - Beba, ish-nënkryetarja e kryetarit shqiptar të komunës së Leposaviqit, Ljulzim Hetemi, në një intervistë për Kosovo online ka thënë se pas djegies së veturës së saj qëndronte Radoica Radomiroviq dhe se Lista Serbe nuk ka lidhje me të.

“Audioincizime të makinës sime duke u djegur kanë ekzistuar që nga ajo ngjarje dhe unë di për to. Për këtë kam njoftuar policinë dhe di se zjarrvënia është organizuar nga Marko Jabllanoviq, Radoica Radomiroviq dhe djali i tij Nikolla me ndihmësit e tyre. Arsyeja është se kanë dashur të më frikësojnë dhe të më detyrojnë të largohem nga pozita në Komunë, që në vendin tim të caktojnë dikë më të përshtatshëm”, theksoi Milletiq.

Ajo shton se nuk e ka të qartë pse policia nuk ka reaguar deri më tani, edhe pse ka prova kundër Radomiroviqit.

“Nuk e di se çfarë presin, ndaj Radomiroviqit dhe të tjerëve që përmenda nuk është nisur asnjë proces. Të njëjtit i vunë zjarrin veturës së nënkryetares së Komunës së Leposaviqit, Radës (Radmilla Vukiçeviq, aut.) dhe disa vetura të tjera nëpër qytet”, theksoi bashkëbiseduesja jonë.

E pyetur nëse mendon se diçka do të ndryshojë tani që mediat serbe kanë filluar të shkruajnë për rastin, ajo përgjigjet se shpreson se do të ndryshojë.

"Ne të gjithë shpresojmë se diçka do të ndryshojë. Radomiroviq i dëshiron dëm këtij populli këtu dhe Listës Serbe, e cila po përpiqet të nxjerrë sa më shumë përfitime për ne," tha ajo.

Ajo gjithashtu ka shtuar se Radomiroviqin e njeh prej kohësh dhe se me të ka pasur vetëm marrëdhënie të mira në fillim, të cilat shumë shpejt kanë ndryshuar.

“Radoica më ka thënë më parë, ndërsa ne ende po flisnim, se si dëshiron t'i vë zjarrin lokaleve dhe dyqaneve në Leposaviq”, tha Milletiq.