Miloviq me Sargeant: Zvogëlimi i pranisë së KFOR-it mund ta rrezikojë edhe më tej situatën tashmë të brishtë të sigurisë
Kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, u takua me komandantin e Komandës Rajonale të KFOR-it, kolonelin Sam Sargeant, me të cilin bisedoi për situatën e sigurisë, paralajmërimet për tërheqjen e mundshme të KFOR-it nga ura kryesore mbi Ibër, si dhe për mbrojtjen e Manastirit të Deçanit.
Në takim, Miloviq shprehu shqetësimin e tij për këto çështje dhe theksoi se çdo zvogëlim i pranisë dhe angazhimit të KFOR-it mund ta rrezikojë edhe më tej situatën tashmë të brishtë të sigurisë.
„Në takim u vu në dukje edhe shfaqja shqetësuese e dhunës institucionale dhe e veprimeve që shkaktojnë shqetësim te qytetarët. Në veçanti u theksua rrënimi i shtëpive dhe shtëpive të pushimit pa një vendim paraprak gjyqësor, si dhe rasti i Nenad Rashkoviqit, për të cilin u tha se gjatë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës kishte pësuar lëndime të rënda trupore. Gjithashtu u vu në dukje edhe hyrja me forcë në shtëpitë e qytetarëve në territorin e Komunës së Zubin Potokut“, njoftuan nga Komuna e Zveçanit.
Sargeant theksoi se KFOR-i do t’i marrë parasysh shqetësimet e paraqitura dhe paralajmëroi shtimin e pranisë dhe patrulla më të dukshme të KFOR-it në territorin e Komunës së Zveçanit.
Ai gjithashtu theksoi se KFOR-i do t’i rrisë kapacitetet e mbikëqyrjes së Policisë së Kosovës, në mënyrë që situata në terren të monitorohet më me kujdes dhe të kontribuohet në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë.
Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i komunës, Ivan Todosijeviq, dhe shefi i kabinetit të kryetarit të komunës, Nenad Radovanoviq.
0 komentet