Mojsilloviq me Barduanin: KFOR-i të mbrojë serbët dhe trashëgiminë fetare, kulturore dhe historike serbe
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, ka takuar në Beograd komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Enriko Barduani, nga i cilit ka kërkuar që forcat ndërkombëtare në mënyrë të vazhdueshme dhe të paanshme të zbatojnë mandatin e tyre dhe të mbrojnë serbët dhe trashëgiminë fetare, kulturore dhe historike serbe në Kosovë.
Ky është takimi i parë mes dy gjeneralëve që kur Barduani ka marrë postin e komandantit të forcave ndërkombëtare në Kosovë në mesin e këtij muaji, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
Siç thuhet në njoftim, të dy bashkëbiseduesit kanë biseduar për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe për aktivitetet e përbashkëta të Ushtrisë Serbe dhe KFOR-it.
“Mojsilloviq theksoi se në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Ushtarako-Teknike, si dhe marrëveshjet e tjera të nënshkruara, KFOR-i është i vetmi formacion legjitim i armatosur në territorin e Kosovës dhe Metohisë dhe kërkoi nga komandant i sapoemëruar i KFOR-it që në mënyrë të vazhdueshme dhe të paanshme ta kryejnë mandatin e tyre dhe mbi të gjitha të mbrojë serbët dhe trashëgiminë fetare, kulturore dhe historike serbe në Krahinë”, theksohet.
Me vlerësimin se situata e sigurisë në Kosovë është e paqëndrueshme dhe e ndjeshme, Mojsilloviq ka theksuar se kërcënimin më të madh për sigurinë e paraqesin lëvizjet e njëanshme dhe provokuese të institucioneve të Kosovës, të cilat synojnë ndryshimin e strukturës etnike në veri të Kosovës.
“Mojsilloviq e përgëzoi gjeneralin Barduani për detyrën e re dhe shprehu pritjen që gjatë mandatit të tij në krye të Forcave të Sigurisë Ndërkombëtare, bashkëpunimi i Forcave të Armatosura të Serbisë dhe KFOR-it të jetë profesional dhe në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në deklaratë.
0 komentet