MPJ e Serbisë: Misionet ndërkombëtare t'i japin fund arrestimeve arbitrare të serbëve në Kosovë
Me rastin e arrestimit të sotëm të katër serbëve në afërsi të Gjilanit, për gjoja krime lufte, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë u bëri thirrje misioneve ndërkombëtare që t'i japin fund arrestimeve arbitrare, rezultati i vetëm i të cilave është shkatërrimi i karakterit multietnik të Kosovës.
Në një deklaratë, Ministria thekson se arrestimi i sotëm është një tjetër shembull flagrant i sulmit ndaj serbëve me qëllim të frikësimit dhe dëbimit të popullit serb nga territori ku ka jetuar me shekuj dhe breza.
Ministria thotë se bashkësia ndërkombëtare duhet të ngrejë zërin përballë sulmeve gjithnjë e më të shpeshta me motive etnike ndaj serbëve dhe arrestimeve të serbëve, pa asnjë provë ligjore dhe zbatimin e procedurave në përputhje me ligjet.
“Qëllimi i veprimeve të tilla është ekskluzivisht krijimi i Kosovës dhe Metohisë etnikisht të pastër”, paralajmëron MPJ.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se “autoritetet e përkohshme të Prishtinës” vazhdojnë të zbatojnë politikën e ndëshkimit kolektiv të popullit serb dhe se shembulli i fundit i arrestimit të katër serbëve duhet të ndezë alarmin e kuq për institucionet ndërkombëtare, sepse mbijetesa e serbëve në Kosovë është më e kërcënuar se kurrë më parë.
“Masat kufizuese ndaj Prishtinës duhet të jenë në fuqi dhe, nëse është e nevojshme, të forcohen, për të parandaluar torturat e përditshme të popullit serb dhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, përfundon deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.
0 komentet