Nastiq: Kushtet e Kurtit për formimin e BKS-së paraqesin një përshkallëzim të ri
Me kushtet e reja për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe të dakorduar më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ngre nivelin e përshkallëzimit dhe shtyn procesin e negociatave me Serbinë, theksoi sot Zhaklin Nastiq, kreu i fraksionit “E Majtë” (Die Linke) në Komisionin e Mbrojtjes të Bundestagut gjerman, dhe kërkoi nga Berlini zyrtar dhe BE që të rrisin presionin ndaj autoriteteve në Prishtinë.
“Me marrëveshjen e Brukselit, Prishtina ndër të tjera u angazhua për themelimin e BKS-së. Marrëveshja, e cila përbëhet nga 15 pika, parasheh që katër komunat në veri të Kosovës, në të cilat popullsia është pothuajse ekskluzivisht serbe, të formojnë një komunitet, për të fituar të drejtat dhe kompetencat themelore në lidhje me policinë, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë dhe kulturën. Qeveria e Prishtinës deri më tani është kundër zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2013”, ka theksuar ajo.
Deputetja gjermane vuri në dukje se njoftimi i ri i Kurtit se do ta zbatojë BKS-në vetëm nëse pasohet me njohje nga Beogradi, paraqet një përshkallëzim të mëtejshëm dhe tregon se sa jo e besueshme është qeveria në Prishtinë në procesin e negociatave lidhur me planin gjermano-francez. Qeveria gjermane dhe BE, beson ajo, nuk duhet të lejojnë Kurtin t'i tërheqë hundët më tej dhe duhet ta rrisin presionin ndaj qeverisë në Prishtinë.
Sa i përket mbrojtjes së së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht në këto kohë, është e rëndësishme të mos harrohet se Kosova u nda nga ish-Jugosllavia në një luftë agresioni në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
“Prandaj është veçanërisht e rëndësishme që përshkallëzimi dhe gjestet kërcënuese të mos dëmtojnë sërish interesat e shtetit të sulmuar të Serbisë”. Në vend të kësaj, duhet të ndërmerren veprime të ndërmjetësimit dhe de-përshkallëzimit”, tha Nastiq.
0 komentet