Novosti: Radomiroviq organizon arrestimin e serbëve për Policinë e Kosovës

radoica radomirović
Burim: telegram/bunker/printscreen

Në rrjetet sociale u shfaq një tjetër video që kompromenton Radoica Radomiroviqin, zëvendësministrin në Qeverinë e Kosovës. Kësaj radhe, sipas Novosti-t, bëhet fjalë për një audio incizim të një bisede telefonike mes Radomiroviqit dhe inspektorit të Policisë së Kosovës, Besim Smakolli, në të cilën ata po përgatitnin terrenin për arrestimin e serbëve nga Leposaviqi.

Është një regjistrim i datës 7 shtator 2023. Në një bisedë telefonike, sipas Novosti-t, inspektori Smakolli i kërkon Radomiroviqit që në hartë ta gjejë shtëpinë e Goran Saviqit (ish-pjesëtar i MPB-së së Serbisë dhe ish-pjesëtar i integruar i SHPK-së) dhe t'i dërgojë lokacionin që ta arrestojë Policia e Kosovës. Radomiroviq i përgjigjet se e di ku është dhe se do të bëjë menjëherë atë që i kërkohet.

“Më 8 shtator, një ditë pasi Radomiroviq përgatiti terrenin për Policinë e Kosovës në Leposaviq, u arrestua Goran Saviq”, transmeton Novosti.