Petkoviq: Kurti pranoi sërish se nuk e intereson dialogu dhe se bën gjithçka për ta shkatërruar atë
Drejtori i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë, Petar Petkoviq, deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me deklaratën e tij sot pranoi sërish se nuk e intereson dialogu dhe se gjithçka që bën, në fakt, e bën për ta shkatërruar dialogun dhe të gjitha arritjet e deritanishme, ndërsa paralelisht përpiqet t’i “hedhë hi syve” bashkësisë ndërkombëtare duke ia hedhur fajin Beogradit.
“Është hipokrizi që Prishtina, në prag të 13-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Parë të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve dhe pas 4.728 ditësh që nuk është formuar Asociacioni i Komunave serbe, të akuzojë Beogradin për çfarëdo”, është I qartë Petkoviq.
Ai në një njoftim theksoi se gjithçka që Kurti bën dhe thotë tregon se ai vetëm simulon dialogun, por në fakt përfaqëson palën që nuk dëshiron as kompromis dhe as arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme.
“Beogradi është palë përgjegjëse në procesin e bisedimeve që zhvillohen në Bruksel, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe përmirësimin e jetës së njerëzve në Kosovë dhe Metohi. Megjithatë, Prishtina, e udhëhequr nga Kurti, është ajo që prej vitesh e sabotuar këtë proces, duke vendosur kushte të paqena dhe ultimatume dhe duke ndërmarrë hapa përshkallëzues, vetëm për të shmangur detyrimet dhe përgjegjësitë e veta”, theksoi Petkoviq.
Ai shtoi se postulati themelor i veprimit të Beogradit është ruajtja e politikës së paqes dhe stabilitetit.
“Beogradi, i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, kurrë nuk e ka kushtëzuar dialogun, por gjithmonë është angazhuar në mënyrë parimore për respektimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara dhe të dakorduara. Si palë kredibile në dialog, Beogradi ka përmbushur të gjitha detyrimet e marra deri më tani dhe tani është radha që Prishtina të fillojë të zbatojë marrëveshjet, duke nisur nga ato të nënshkruara para 13 vitesh, ndër të cilat më e rëndësishmja është formimi i Asociacionit të Komunave serbe”, përfundoi Petkoviq.
Kurti, më herët gjatë ditës, deklaroi se dialogu me Serbinë ka përparuar ndjeshëm, por edhe se në Bruksel nuk ka pasur vetëm dialog, por edhe marrëveshje që, sipas tij, janë pranuar, por nuk janë nënshkruar.
“E dimë tashmë se dialogu ka përparuar shumë sepse ka rezultuar me marrëveshje. Në Bruksel nuk kemi pasur vetëm dialog, por edhe marrëveshje. Çështje tjetër është që presidenti i Serbisë e ka pranuar marrëveshjen, por ka refuzuar ta nënshkruajë”, tha Kurti.
komentet