Petkoviq me Duen: U shmang skenari katastrofik për popullin serb në Kosovë
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, u takua sot me përfaqësuesin special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefin e Misionit të OKB-së në Kosovë, Peter Due, të cilin e informoi për zgjidhjen më të fundit të arritur lidhur me Ligjin për të huajt, duke theksuar se janë mbrojtur të drejtat e serbëve dhe funksionimi i institucioneve arsimore dhe shëndetësore serbe në Kosovë.
Petkoviq theksoi se me këtë është shmangur, siç tha ai, një skenar katastrofik për popullin serb në Kosovë dhe nënvizoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme edhe për Rregulloren për automjetet motorike, pasi, shtoi ai, ajo prek mijëra serbë dhe ua vështirëson lirinë e lëvizjes dhe shfrytëzimin e pronës.
Petkoviq nënvizoi rëndësinë e misionit të UNMIK-ut për popullin serb në Kosovë, si dhe rëndësinë e respektimit të plotë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke shprehur shpresën se raporti gjashtëmujor i ardhshëm i këtij misioni, i cili do të paraqitet në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në fillim të prillit, do të marrë parasysh të gjitha problemet dhe shkeljet e të drejtave me të cilat, siç theksoi, populli serb në Kosovë përballet çdo ditë në terren.
“Gjatë bisedës, në të cilën mori pjesë edhe Dominika Krois, shefe e Zyrës së OKB-së në Beograd, Petkoviq theksoi veçanërisht përkushtimin e Beogradit ndaj dialogut që zhvillohet me Prishtinën në Bruksel dhe nënvizoi se është thelbësore që sa më parë të fillohen bisedimet në drejtim të formimit të Asociacionit të komunave serbe dhe hartimit të Statutit të AKS-së, e cila përbën kornizën më të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave kolektive dhe individuale të serbëve në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në njoftimin e Zyrës për KeM.
Petkoviq theksoi gjithashtu se veprimet e njëanshme të Albin Kurtit dëmtojnë situatën e brishtë të sigurisë si në Kosovë ashtu edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e informuar bashkëbiseduesin e tij me shembuj të shumtë që e dëshmojnë këtë.
Ai shtoi se për popullin serb në Kosovë është jashtëzakonisht e rëndësishme veprimtaria e UNMIK-ut, ndaj të cilit ata kanë besim të madh, dhe se presin që ky mision të veprojë në përputhje me mandatin dhe objektivat e tij.
0 komentet