Petkoviq me Sorensenin: Prishtina me rregullore diskriminuese rrezikon më shumë se 10.000 serbë në Kosovë

1
Burim: Kosovo Online

Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, u takua sot me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Beograd–Prishtinë, Peter Sorensen, të cilit i paraqiti përmasat e pasojave që mund të ndodhin për popullin serb nëse Prishtina, nga 15 marsi, fillon zbatimin e ligjeve për të huajt dhe për mjetet motorike.


Petkoviq theksoi se me këto, siç i quajti ai, rregullore diskriminuese, rrezikohen drejtpërdrejt më shumë se 10.000 serbë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, si dhe cenohen të drejtat themelore të njeriut dhe qytetare, e drejta për punë, liria e lëvizjes, e drejta për jetë familjare, kujdes shëndetësor dhe arsim.

“Çdo synim për heqjen e këtyre të drejtave çon në përndjekje të drejtpërdrejtë të popullit serb nga Kosova dhe në spastrim etnik administrativ të serbëve, si dhe përbën goditje ndaj funksionimit të institucioneve shëndetësore dhe arsimore të Republikës së Serbisë në këto hapësira”, paralajmëroi Petkoviq.

Për këtë arsye, theksoi ai, është e domosdoshme që urgjentisht të rifillojnë bisedimet për draft Statutin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), pasi pikërisht Marrëveshja e Parë e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve dhe Parimet e Përgjithshme kanë përcaktuar funksionimin e këtyre institucioneve serbe në territorin e Kosovës, ndërsa ky dokument përbën gurthemelin e mbrojtjes së të drejtave kolektive dhe individuale të serbëve.

“Beogradi është i gatshëm që të gjitha zgjidhjet e qëndrueshme dhe të zbatueshme për problemet që kërcënojnë mbijetesën e popullit serb t’i kërkojë në kuadër të dialogut, me qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, ndërsa veprimet e njëanshme, të kundërligjshme dhe përshkallëzuese të Prishtinës çojnë në paqëndrueshmëri, kriza të reja dhe tensione në terren”, përfundoi Petkoviq.