Petkoviq me Trokazin: Qëllimi i vetëm i Kurtit është të shkaktojë tensione të reja
Drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq, ka biseduar sot me të dërguarin special të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Trokaz, të cilin e ka informuar në detaje për situatën në Kosovë dhe për sigurinë e kërcënuar të popullit serb si pasojë e, siç tha ai, akteve të dhunshme dhe të njëanshme të Prishtinës, si dhe gjatë dialogut të zhvilluar në Bruksel.
Siç njofton Zyra për Kosovë dhe Metohi, Petkoviq ka theksuar se Prishtina ka refuzuar ftesën për dialog të negociatorëve kryesorë në nivel teknik, i cili është dashur të mbahej më 7 nëntor në Bruksel,ndërsa Beogradi konfirmoi pjesëmarrjen e tij në dialog në kohën e duhur.
Takimi u anulua dhe në këtë mënyrë, siç tha drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Prishtina qartë konfirmoi se nuk është e interesuar për dialog, normalizim të marrëdhënieve dhe deeskalim të situatës në terren, por dëshiron të ndryshojë situatën në terren përmes militarizimit.
Duke folur për pozitën e popullit serb në krahinë, Petkoviq tërhoqi vëmendjen e bashkëbiseduesit për dhunën dhe terrorin që regjimi i Albin Kurtit ushtron çdo ditë ndaj serbëve në Kosovë dhe për të cilat Beogradi çdo ditë e tërheq vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, Petkoviq ka theksuar se fajtori i vetëm për situatën aktuale në veri të Kosovës është Albin Kurti, i cili vazhdon me provokime, veprime të njëanshme, arrestime të pabaza dhe akuza të rreme ndaj serbëve dhe me refuzimin e vazhdueshëm për të formuar Bashkësinë e Komunave Serbe, si dhe me shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve në katër komuna në veri.
Nga të gjitha sa më sipër, del qartë se qëllimi i vetëm i palës shqiptare është të provokojë tensione të reja dhe të përkeqësojë situatën në terren, gjë që çon në mohimin e drejtpërdrejtë të vetë kuptimit të dialogut ka theksuar Petkoviq dhe ka shtuar se Kurtit nuk i shkon mendja të punojë për normalizimin e jetës së përbashkët të serbëve dhe shqiptarëve dhe besimin ndëretnik sepse plani i tij përfundimtar, theksoi ai, është “Kosova dhe Metohia pa serb”.
Petkoviq arriti në përfundimin se, pavarësisht gjithçkaje, Beogradi mbetet një anë konstruktive, e vendosur për të gjetur një kompromis, për hir të normalizimit të marrëdhënieve dhe ndërtimit të paqes së përhershme dhe të qëndrueshme.
komentet