Petroviq dhe Obrenoviq dënohen me gjashtë muaj burg, dënimi shndërrohet me gjobë
Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq të cilët u arrestuan më 29 maj në Zveçan gjatë protestës, janë dënuar me gjashtë muaj burg për veprën penale të “Pjesmarrjes në masën e cila ushtroi vepër penale apo huliganizëm”. Pas pranimit të fajit në rastin e Petroviqit, dënimi i shndërrohet në gjobë me vlerë 6.000 euro, ndërsa Obrenoviq tashmë ka vuajtur dënimin me burg gjashtë mujor.
Avokati i Radosh Petroviqit Asdren Hoxha thekson se ndaj Petroviqit dhe Obrenoviqit fillimisht u ishin ngarkuar katër vepra penale: “Sulm ndaj rendit kushtetues”, “Sulm ndaj zyrtarëve ndërkombëtarë nën mbrojtjen ndërkombëtare”, „Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesmarrje në masë që ushtron vepër penale apo huliganizëm”, megjithatë gjatë procedurës hetimore tre vepra penale janë hedhur poshtë, ndërsa për të katërtën u arrit marrëveshje për pranimin e fajit.
“Sot patëm seancën fillestare lidhur me aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në lidhje me ngjarjet e 29 majit të vitit të kaluar përballë komunës së Zveçanit. Ashtu sikurse e dini në këtë incident u arrestuan Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq ku përgjatë procedurave hetimore dyshoheshin se akuzoheshin për katër vepra penale çka ishte situatë mjaft e vështirë në fillim. Për Sulm ndaj rendit kushtetues, sulm ndaj personelit ndërkombëtar nën mbrojtje ndërkombëtare, bëhet fjalë për KFOR, sulm ndaj zyrtarëve dhe si vepër e katërt në pikën e katërt, Pjesëmarrja në masë që kryen vepra penale ose huliganizëm. Mundëm që në këtë procedim hetimor të hidhnim poshtë tre veprat më të rënda penale dhe e vetmja gjë që ka mbetur, siç është rasti, është se ata kanë qenë në protestë dhe ajo protestë është eskaluar dhe prej saj rezultoi me kryerjen e veprës penale apo huliganizëm, sulm ndaj ushtarëve të KFOR. Kështu që ramë dakord që binim në marrëveshje për pranimin e fajit për këtë vepër, pika 4 nga neni 404 i Kodit Penal të Kosovës”, tha Hoxha.
Marrëveshja është lidhur më 29 janar të këtij viti, thekson Hoxha.
“Aktakuza mbërriti në gjykatë nën marrëveshjen e pranimit të fajit të cilën gjykata e miratoi. Sa i përket Radosh Petroviqit, gjashtë muajt e burgimit do të shndërrohen në gjobë, ndërsa për Dushan Obrenoviqin ai tashmë e ka vuajtur dënimin”, tha Hoxha.
Petroviq kaloi 30 ditë në paraburgim, pas së cilës u lirua për t'u mbrojtur, ndërsa Obrenoviqi gjashtë muaj i kaloi në paraburgim.
komentet