Piç: Imponimi i dhunshëm i kryekomunarëve nuk ishte veprim i mençur, u dëmtua reputacioni i Kosovës tek aleatët
I dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor Stjuart Piç deklaron pas takimit që pati me përfaqëesuesit e Prishtinës se vendimi për hyrjen me forcë të kryekomunarëve në godinat komunale në veri të Kosovës, nuk ishte i mençur çka do të çojë në pasoja të rënda.
Siç bën të ditur ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë përmes njoftimit në Tvitter, Piç sot në Prishtinë ka biseduar me kryeministrin Albin Kurtin, zv kryeministren Donika Gërvalla, ministrin e mbrojtjes Armend Mehaj dhe me ambasadorin e SHBA Hovenier.
"Në takime me përfaqësues të qeverisë, u kam përcjellë mesazh të qartë: aksioni i autoriteteve kosovare përmes hyrjes imponuese me dhunë të kryekomunarëve nëpër godinat komunale në veri, nuk ishte veprim i mençur dhe do të shoqërohet me pasoja të rënda. Tani është momenti që të gjitha palët të të de-eskalojnë situatën. Po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe po flas me partnerët në Uashington, Bruksel e më gjerë. Të tilla biseda më vurën në dijeni se ngjarjet e fundit kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe reputacionin e saj tek aleatët" ka bërë të ditur Piç.
Ky i fundit ka thënë se Britania e Madhe do të qëndrojë në krahë të Kosovës në kohë të mira e të këqija.
"Si miq dhe mbështetës do të vazhdojmë të jemi, por veprimet e njëanshme vetëm sa do t’a bëjnë më të vështirë" thekson Piç.
0 komentet