Radakoviq: Tërheqja e pjesshme e policisë nuk do të thotë asgjë, prania e tyre është e panevojshme

Dušan Radaković
Burim: Kosovo Online

Dushan Radakoviq nga Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike konsideron se vendimi i Qeverisë Kosovare për të reduktuar në 25% praninë policore në dhe përreth godinave komunale në Lleposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan nuk do të thotë asgjë dhe shton se në thelb, nuk e shikon qëllimin e pranisë së tyre në këto godina të cilat në fakt janë bosh.

Radakoviq tha për Kosova Onlajn se marrëveshja e së hënës në Bratislavë mes përfaqësuesit special të BE për dialog, Mirosllav Llajçak dhe kreut të ekipit negociator kosovar Besnik Bislimi rreth hapave për de-eskalim, është pothuajse një hap përpara.

“Çdo marrëveshje është më mirë sesa jo-dialog. Problemet e 26 majit lindën pikërisht sepse nuk kishte dialog dhe marrëveshje për gjithçka. Sinqerisht, nuk shikoj pikën fituese që njësitë speciale anti-terroriste të ulen në ndërtesat komunale praktikisht të zbrazëta në Lleposaviq, Zveçan e Zubin Potok, përveçse të sigurojnë një apo dy persona në to”, thotë Radakoviq.

Kur është fjala për zgjedhjet e reja lokale në veri, ai thotë se shpreson që kjo të ndodhë ashtu sikurse vetë kryetarët dhe këshilltarët, të cilët u votuan në zgjedhjet e 23 prillit në katër komuna në veri, të dorëheqen.

“Nëse do të shkohet tek referendumi, sigurisht që nuk do të kemi zgjedhje para Vitit të Ri apo në janar, shkurt të vitit të ardhshëm. Domethënë fillimisht dorëheqjet e kryetarit dhe këshilltarëve dhe më pas të bëhen zgjedhje të ndershme dhe demokratike që përbërja e kuvendeve komunale dhe kryetarëve të komunave të pasqyrojnë strukturën e popullsisë që jeton aty ku 95% janë sërbë” thotë Radakoviq.

Ky i fundit shton se gjithçka që do të bëhet do të ndodhë gjatë korrikut sepse “gushti figurativisht thuhet se është muaj i ‘vdekur’ për shkak të pushimeve”.

“Të gjithë nga BE janë me pushime, bashkësia ndërkombëtare në Kosovë dhe në Sërbi gjithashtu, kështu që nuk pres ndonjë veprim konkret në gusht. Nëse nuk ka asgjë konkrete në dy javët e ardhshme, atëherë duhet të presim deri në mes të shtatorit. Marrëveshja e arritur në Bratisllavë është hap i mirë, por tërheqja e 25% e policisë është pak, njerëzit ndjejnë frikë nga prania e tyre. Mendoj se duhet të tërhiqen tërësisht nga godinat komunale sepse nuk kanë asnjë funksion” thotë Radakoviq.