Radojeviq: Prej ardhjes në Komunë, jemi përballur me presione të vazhdueshme

Radojević
Burim: Kosovo Online

Pas përfundimit të seancës së sotme të Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, kryekomunari Millan Radojeviq në deklaratë dhënë mediave, tha se prej ardhjes në pushtet po përballemi me presione të shumta. Duke komentuar vendimin e marrë në seancën e sotme, Radojeviq vuri në dukje se sipas proçedurës ligjore, kryetari i kuvendit vendor këtë vendim e firmos dhe e përcjell tek Ministria për t’a konfirmuar nëse ato janë marrë sipas ligjit apo jo.

Në seancë u mor vendimi për anulimin e vendimeve të mëparshme për emërtesat e rrugëve në Mitrovicën e Veriut, ndërsa këshilltarët sërish votuan dhe vendimin për daljen nga Shoqata e Komunave Kosovare.

"Më duhet të theksoj se prej ardhjes në Komunë, jemi përballur me presione të vazhdueshme, si nga niveli qëndror ashtu edhe nga Policia Kosovare në terren. Me nivelin qëndror e thënë më butë, nuk kemi bashkëpunim dhe punojnë për pengimin e vendimeve tona dhe punën e vetë komunës. Dëgjuat se nuk pati asnjë debat publik për temën e ndryshimit të emërtesave të rrugëve të sjella nga mbledhja e mëparshme. Vurëm re se në vendimet komunale të udhëheqjes së mëparshme, komisionet përbëheshin ekskluzivisht nga shqiptarë. Madje dhe i vetmi këshilltar nga komuniteti sërb, kishte firmosur tek ato vendime, ndërsa ai vetë mohoi se kishte marrë pjesë në punën e atij komisioni. Do të shikojmë se çfarë do të bëjnë autoritetet gjyqësore për këtë çështje", tha Radojeviq.

Ky i fundit shtoi se Ministria e Pushtetit Vendor, qysh në nisje kërkoi që të hiqet nga rendi i ditës pika e ndryshimit të emërtesave të rrugëve.

"Ne do të vazhdojmë të punojmë në interes të qytetarëve tanë, të cilët na kanë dhënë mandatin për të përfaqësuar interesat e tyre dhe do të përcjellim gjithçka që besojmë se duhet të jetë objekt hetimi nga organet ligjzbatuese", konkludoi Radojeviq.