Ramadani: Mund të ketë ashpërsim të debateve në Mynih, shpresojmë në mesazhe për zgjidhjen e vatrave të krizës
Kryetari i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, Ismet Ramadani, thotë se këtë vit në Konferencën e Sigurisë në Mynih debatet mund të ashpërsohen disi për shkak të krizave në marrëdhëniet transatlantike mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, ku përfshihet edhe Mbretëria e Bashkuar. Megjithatë, ai shpreson se, pavarësisht mosmarrëveshjeve të shprehura, do të dëgjohen mesazhe për zgjidhjen e vatrave të krizës si lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së, BE-së dhe NATO-s.
Ramadani thekson se në Konferencën e Sigurisë në Mynih marrin pjesë liderët më të rëndësishëm të vendeve të mëdha.
“Konferencën do ta hapë kancelari gjerman Merc, ndërsa fjalime do të kenë me siguri edhe Macron, Von der Leyen nga Bashkimi Evropian dhe përfaqësues të shteteve më të fuqishme. Më e rëndësishmja, sidomos në ditën e parë kur mbahet seanca plenare, do të jetë paraqitja e Marco Rubios, sekretarit amerikan të Shtetit. Pritet që paraqitja e tij të jetë në vazhdën e qëndrimeve të fundit ndërmjet administratës së Trampit dhe Bashkimit Evropian. Marrin pjesë edhe rreth 50 kongresmenë amerikanë dhe debati i parë do të jetë për marrëdhëniet SHBA–Bashkimi Evropian”, thotë Ramadani.
Sipas tij, një debat tjetër po ashtu interesant do të jetë ai lidhur me përgjegjësinë e SHBA-së dhe Kinës për ruajtjen e paqes.
“Për herë të parë paraqitet një platformë e veçantë e quajtur ‘Shtëpia e Ukrainës’, ku pritet mbështetje për Ukrainën dhe ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti ukrainas Zelensky. Natyrisht, aty është edhe roli i NATO-s dhe zakonisht trajtohen tema si mbrojtja, kibernetika dhe lufta hibride. Sipas njohurive të mia, është anuluar vetëm ftesa për ministrin e Jashtëm të Iranit për shkak të demonstratave të fundit në Iran”, thekson bashkëbiseduesi ynë.
Përveç luftës në Ukrainë, e cila është në fokus të interesimit, ai thekson se tema do të jenë edhe Lindja e Mesme dhe vatrat e krizës në Afrikë. Në debatet tematike, shton ai, ndonjëherë ka tone më të ashpra për shkak të sfidave globale, por shpreson se do të dëgjohen mesazhe për paqe.
“Shpresojmë që këto të jenë mesazhe për harmonizimin e qëndrimeve dhe për zgjidhjen e vatrave të krizës, veçanërisht të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Mesazhet me gjasë do të kenë të bëjnë me përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve, mes SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Pavarësisht disa mosmarrëveshjeve, veçanërisht rreth Grenlandës dhe deklaratave të presidentit Tramp, pres që nga kjo konferencë të dalin mesazhe në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve përmes bisedimeve, negociatave dhe dialogut, në mënyrë që bota të qetësohet disi përballë këtyre tensioneve dhe vatrave mes fuqive të mëdha”, thotë Ramadani.
Sipas tij, zakonisht në fund të konferencave të tilla përfundimet dhe mesazhet janë të orientuara drejt ruajtjes së paqes, që bota të jetë më e sigurt dhe të gjendet mënyra që të gjitha vatrat e krizës dhe luftërat të marrin fund, në mënyrë që bota të kalojë drejt një faze më humane, që nënkupton zhvillim ekonomik.
Ai vëren se Ballkani Perëndimor nuk është temë e veçantë në sesione të posaçme.
“Në këtë konferencë të sigurisë temat më sfiduese janë lufta në Ukrainë, Lindja e Mesme, Irani, Grenlanda, Venezuela. Nuk e di nëse mund të them se Ballkani ka peshë më të lehtë, sepse me një diplomaci më serioze të administratës amerikane në koordinim me Bashkimin Evropian, gjërat mund të qetësohen shpejt. Për shembull, nëse qetësohen marrëdhëniet me Rusinë, atëherë në një farë ‘defaulti’ do të qetësohej edhe gjendja në marrëdhëniet Serbi–Kosovë ose në krahinat serbe. Fokusi është megjithatë tek këto situata krizash që përmenda, të cilat janë më të lehta për t’u zgjidhur kur bien dakord fuqitë e mëdha”, përfundon Ramadani.
0 komentet