Ristanoviq: Ndryshimi i emrave të rrugëve në Mitrovicën e Veriut pjesë e “shqiptarizimit” të mjediseve serbe në Kosovë

Petar Ristanović
Burim: Kosovo Online

Bashkëpunëtori shkencor i Institutit për Kulturën Serbe në Leposaviq, Petar Ristanoviq, ka vlerësuar se ndryshimi i emrave të rrugëve në Mitrovicën e Veriut është vazhdim i përpjekjeve për “shqiptarizimin” e mjediseve serbe në Kosovë dhe se ky trend do të vazhdojë edhe në tre komunat tjera në veri.

„Është edhe një hap tjetër drejt integrimit të dhunshëm të veriut të Kosovës, si dhe një lloj dërgimi i mesazhit. Kur shikohen emrat e rrugëve që janë fshirë, ata ishin emra me tematikë kombëtare. Kryesisht ishin rrugë që dëshmonin për karakterin serb, për identitetin serb të Kosovës dhe Metohisë“, ka deklaruar Ristanoviq për Kosovo online.


Ai e sheh këtë si një përpjekje për “shqiptarizimin” e mjediseve serbe në Kosovë.

„Tek shqiptarët, në udhëheqësinë e tyre ekziston një tendencë disadekadëshe që në procesin e shqiptarizimit të fshihen të gjithë simbolët e identitetit serb“, thekson Ristanoviq.

Sipas tij, emrat e rinj të rrugëve në Mitrovicën e Veriut u janë dhënë kryesisht figurave nga historia shqiptare që kanë qenë bartës të „lëvizjes separatiste“.

„Si Ali Ahmeti, ose shqiptarët – luftëtarë për bashkimin e ’Shqipërisë së Madhe’ si Isa Boletini. Ka edhe figura që kanë rënë në luftën e vitit 1999 dhe që sot trajtohen tek shqiptarët si martirë, të rënë për idenë kombëtare. Një rrugë do të mbajë emrin e Sinan Bajramit, një nxënës i shkollës së mesme që u vra në rrethana të paqarta gjatë demonstratave të vitit 1981. Këtu ka edhe një dozë manipulimi, meqë burimet shqiptare thonë se ai u vra pas përplasjes me policinë serbe, ndërsa në fakt ai fëmijë ka vdekur nga një aksident i rastësishëm“, saktëson Ristanoviq.

Ai shton se shembujt më të theksuar janë emërtimi i rrugëve me emra të ish-pjesëtarëve të UÇK-së ose të „lëvizjes separatiste“, por sipas tij edhe më e rrezikshme është tendenca e fshirjes së “identitetit serb” në Kosovë.

Prandaj, Ristanoviq nuk ka dilema se ky trend do të vazhdojë edhe në tre komunat e mbetura në veri.

„Jam i sigurt se do të vazhdojë. Ky është vetëm një në vargun e hapave që tashmë janë të dukshëm prej kohësh dhe që rezultojnë me atë që të gjithë ne kur shkojmë në Kosovë e Metohi e shohim frikë, përkeqësim të situatës së sigurisë. Në rrugët e Mitrovicës pas shumë dekadash është kthyer kriminaliteti i vogël. Njerëzit thjesht nuk ndihen të sigurt. Dhe si pasojë e gjithë kësaj, mendoj se kjo atmosferë krijohet me qëllim, kemi një eksod masiv të serbëve. Serbët po shpërngulen tani masivisht edhe nga veriu i Kosovës“, paralajmëron ky historian.

I pyetur se si ndryshimi i rrugëve është "i kohëzuar" me zgjedhjet e ardhshme lokale, Ristanoviq thotë se është e mundur, por se në thelb është "pjesë e një procesi më të gjerë të shqiptarizimit dhe presionit mbi serbët".