Sentiq: Trajtimi i qeverisjes vendore ndaj mediave dhe qytetarëve cënon seriozisht parimet themelore të të drejtave të njeriut
Pasi mediat nuk u lejuan të ndiqnin seancën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut në të cilin ishte planifikuar të merrej në shqyrtim mundësia e hapjes së urës në Ibër, ndihmës Avokati i Popullit të Kosovës Sërgjan Sentiq vlerësoi për Kosovo onlajn trajtim i tillw i qeverisjes vendore ndaj përfaqësuesve të mediave dhe qytetarëve paraqet shkelje serioze të parimeve themelore të të drejtave të njeriut, mbizotërimit të ligjit dhe vlerave demokratike.
Sentiq ka thënë se interesat e qytetarëve duhet të jenë në qendër të të gjitha diskutimeve dhe vendimeve dhe, siç theksoi ai, mediat dhe qytetarët kanë të drejtë të informohen plotësisht për të gjitha çështjet që janë me rëndësi jetike për ta dhe për komunitetin që përfaqësojnë.
“Ky lloj trajtimi i qeverisjes vendore ndaj përfaqësuesve të mediave dhe qytetarëve paraqet shkelje serioze e parimeve themelore të të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe vlerave demokratike”, tha Sentiq.
Ky i fundit kujtoi se transparenca dhe liria e medias janë themeli i shoqërisë demokratike.
“Cënimi i tyre minon vlerat europiane, besimin e qytetarëve tek institucionet dhe vetë themelet e rendit demokratik”, konkludoi Sentiq.
Këshilltarët në seancën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut në të cilën duhej të shqyrtohej dhe hapja e urës së Ibrit, vendosën që seanca të zhvillohej pa praninë e gazetarëve dhe e mbyllur për publikun ndërsa rojet kërkuan prej mediave që të braktisnin menjëherë godinën ndonëse dje mediave u është dërguar ftesë që të ndiqnin nga afër seancën.
komentet