Simiq: Të ndalen masat e njëanshme ndaj institucioneve të mbështetura nga Serbia dhe të formohet urgjentisht AKS
Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, vuri në dukje problemet serioze me të cilat përballet komuniteti serb, të cilat janë konfirmuar edhe në Raportin më të fundit të Komisionit Evropian për vitin 2026. Ai, ndër të tjera, kërkoi ndërprerjen e masave të njëanshme dhe të pakoordinuara ndaj institucioneve të mbështetura nga Serbia, si dhe formimin urgjent të Asociacionit të Komunave Serbe.
Simiq, përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se në seancën e sotme kishte theksuar se nuk mjafton të flitet vetëm në mënyrë deklarative për shoqërinë multietnike, sundimin e ligjit dhe barazinë, por është e domosdoshme që këto parime të respektohen në praktikë.
Nga Kuvendi dhe institucionet kompetente kërkoi respektimin e kompetencave të komunave me shumicë serbe dhe ndërprerjen e ndërhyrjeve të institucioneve qendrore në punën e tyre të ligjshme. Simiq kërkoi që urgjentisht të nisë procesi i formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, në përputhje me marrëveshjet e arritura.
“Ndërprerja e masave të njëanshme dhe të pakoordinuara ndaj institucioneve që mbështeten nga Republika e Serbisë. Çështja e shëndetësisë, arsimit dhe shërbimeve të tjera publike nuk guxon të zgjidhet përmes veprimeve të njëanshme dhe forcës, por përmes dialogut. Mundësimi i riintegrimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit gjyqësor serb, si dhe sigurimi i qasjes së barabartë në drejtësi”, deklaroi Simiq gjatë seancës.
Simiq, në emër të Listës Serbe, kërkoi përfaqësim adekuat të serbëve në polici, veçanërisht në pozitat drejtuese në katër komunat veriore.
“Mbrojtja e të drejtave pronësore të qytetarëve, duke respektuar procedurat ligjore dhe duke ndërprerë rrënimet që kryhen pa mbrojtje juridike efektive. Respektimi i plotë i gjuhës, kulturës, fesë dhe simboleve kombëtare serbe, si dhe mbrojtja e të drejtave dhe trashëgimisë kulturore të Kishës Ortodokse Serbe. Heqja e pengesave për zhvillimin ekonomik të zonave serbe, përfshirë kufizimet që vështirësojnë furnizimin me mallra dhe veprimtarinë e biznesmenëve tanë, përmes kryerjes së vazhdueshme të kontrolleve të pabazuara inspektuese”, theksoi Simiq.
Ai insistoi gjithashtu në konsultime të detyrueshme dhe thelbësore me përfaqësuesit legjitimë të komunitetit serb gjatë marrjes së vendimeve që ndikojnë në jetën e qytetarëve.
Simiq theksoi se kthimi i serbëve në institucione duhet të shoqërohet me respektimin e vërtetë të të drejtave dhe kompetencave të tyre.
“Detyrimi ynë është që në mënyrë institucionale, të përgjegjshme dhe të argumentuar t'i përfaqësojmë interesat e qytetarëve që na kanë dhënë besimin. Nuk kërkojmë privilegje, kërkojmë barazi. Nuk kërkojmë konflikt, kërkojmë respektimin e ligjit dhe marrëveshjeve. Nuk kërkojmë që institucionet të punojnë për një popull kundër një tjetri, kërkojmë që të punojnë për të gjithë qytetarët”, deklaroi ai. Simiq porositi se Lista Serbe do të mbetet konsekuente, e vendosur dhe këmbëngulëse në mbrojtjen e të drejtave të popullit serb.
komentet