Spahiu: Vendosja e gurit të themelit në shkollë në Mitrovicën e Veriut pjesë e fushatës paraelektorale
Analisti politik Nexhmedin Spahiu beson se vendosja e gurit të themelit për shkollën në Minivendbanimin në Mitrovicën e Veriut në të cilën asistonin ministrat në mandatin teknik Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi, kryekomunari në largim Erden Atiq dhe kandidati i Vetvendosjes në Mitrovicën e Jugut Faton Peci-janë pjesë e fushatës paraelektorale.
“Mendoj se kjo është pjesë e fushatës. Asistimi i kandidatit për kryekomunar të Mitrovicës së Jugut dhe ministrit të punëve të brendshëm në detyrë. Kjo është fushatë”, ka thënë Spahiu për Kosovo Onlajn.
Beson se ndërtimi i kësaj shkolle për komunitetet jo-shumicë është mëse e nevojshme, por ai nuk është i sigurt nëse gjithçka është bërë në përputhje me ligjin.
“Kjo është më shumë sesa nevojitej sepse imagjnoni njerëzit, nga zona e komunës veriore që me fëmijët gjashtë apo shtatë vjeç, u duhet të vijnë në pjesën jugore. Përse të mos kemi shkollë në veri? Kështu që kjo është më se e nevojshme dhe është keq që nuk është bërë deri më tani. Dhe nëse këto veprime ishin sipas ligjit apo jo, këtë unë nuk mund t’a them por shkolla është më se e nevojshme”, theksoi Spahiu.
0 komentet