Sretenoviq: Vizita e Xi Jinping i jep shpresë Serbisë se disa vendime të diskutueshme në OKB do të pengohen
Vizita e presidentit kinez Xi Jinping në Serbi është e rëndësishme në planin politik sepse jep shpresë se ndikimi kinez, veçanërisht në OKB, do t'i mundësojë Serbisë që të paktën të parandalojë disa vendime shumë të pakëndshme dhe të diskutueshme që po përgatiten në nivel të OKB, siç është rezoluta për Srebrenicën, thotë për Kosovo online historiani Stanisllav Sretenoviq.
Siç shpjegon ai, shpresa është që Kina të arrijë me autoritetin dhe ndikimin e saj mes vendeve të vogla, në numër, të kapërcejë ndikimin e vendeve perëndimore, të cilat me çdo kusht duan të kalojnë rezoluta të pakëndshme për Serbinë.
“Nga ana tjetër, në aspektin ekonomik, Kina luan një rol të rëndësishëm, edhe pse duhet të themi se pabarazia në fuqinë ekonomike të Kinës dhe Serbisë është shumë e madhe. Për Kinën, Serbia nuk është treg aq i rëndësishëm sa BE. Por Kina është shumë e rëndësishme për Serbinë dhe në atë kuptim po i zhvillojnë marrëdhëniet, Serbia shpreson në investime të reja”, thekson Sretenoviq dhe vlerëson se kjo është e mirë, por duhet pasur kujdes se si do të shlyhen investimet, që të mos çojnë në robri të borxheve.
Ai thekson se parë në një nivel simbolik, Xi Jinping po vjen në një datë tragjike, në 25-vjetorin e bombardimit të Serbisë nga NATO “e cila është e diskutueshme nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare" dhe në datën tragjike kur u bombardua ambasada kineze.
"Këto janë gjithashtu sinjale të rëndësishme. Kina në këtë mënyrë i tregon Serbisë se e mbështet atë në një nivel simbolik dhe politik, dhe Serbia shpreson se ky hap kinez do të kontribuojë në tendencën e vendeve perëndimore për të sfiduar integritetin e territorit serb në çdo kusht dhe të sfidojë praninë serbe në krahinën e saj jugore në KdheM, që së paku ta ngadalësojë atë politikë, nëse jo ta ndalojë”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Ai thekson se përmendja e fjalëve kaq të forta në marrëdhëniet ndërkombëtare si "miqësia e çelikët" fsheh një politikë të caktuar pas saj dhe se Serbia duhet të jetë e vetëdijshme për këtë.
Sa i përket rëndësisë së Serbisë për Kinën, Sretenoviq kujton se këndvështrimi kinez për Serbinë lidhet me një pikëpamje globale që Kina ka në raport me Evropën si kontinent, jo vetëm si BE, dhe se bëhet fjalë për projektin"Brezi dhe Rruga".
"Kina dëshiron të projektojë ndikimin, fuqinë dhe ekonominë e saj në të gjithë botën, veçanërisht në vendet aziatike, afrikane dhe evropiane. Dhe në këtë kuptim, Serbia përfaqëson një lidhje të vogël por të rëndësishme që, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, lidh Azinë. Afrika dhe Evropa përmes ndikimit ekonomik kinez mund të rrjedhin nëpër territorin serb, pasi Kina zotëron një port shumë të rëndësishëm në Evropë që e bleu, që është porti i Pireut në Greqi”, thotë Sretenoviq.
Ai shton se investimet kineze janë të rëndësishme jo vetëm në Serbi por edhe në Hungari.
“Dhe në momentin kur dy vende të rëndësishme të BE-së po tërhiqen nga kjo politikë “Brezi dhe Rruga”, dhe në radhë të parë i referohem Italisë dhe tërheqjes së Polonisë, Hungaria mbetet një levë e rëndësishme për Kinën dhe fqinjin e saj jugor, Serbinë dhe fqinji jugor serb, Greqia, përfaqësojnë atë krah, i cili, sipas vlerësimeve kineze, mund të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të investimeve kineze dhe depërtimit ekonomik kinez”, shpjegon ai.
Ai paralajmëron se është e rëndësishme për vendet e vogla që prania ekonomike e Kinës të mos sjellë me vete shumë ndikim politik në politikën e brendshme të atyre vendeve.
“Politikanët serbë duhet të jenë të mençur dhe të përdorin të gjitha avantazhet e mbështetjes që ka Serbia për momentin, por edhe të jenë të vetëdijshëm se investimet kineze dhe ndikimi politik kinez në nivelin e brendshëm duhet të vendosen brenda kornizave të caktuara ligjore dhe të mos kalojnë një nivel që do të i sjellin dobi Serbisë”, thotë ai.
Mirëpo, Sretenoviq rikujton se kjo nuk i referohet ndikimit të politikës së jashtme të Kinës, sepse Kina e përkrah integritetin e Serbisë, sikurse Serbia e përkrah integritetin e Kinës në lidhje me Tajvanin.
“Prandaj, në nivelin e politikës së jashtme është vendosur një ekuilibër, një interes i përbashkët, i cili në fakt mund të mos sjellë fitim në terren, por të paktën në nivelin e së drejtës ndërkombëtare, në nivelin e simbolizmit, duke i vendosur disa kufij plotfuqishmëria e vendeve perëndimore - mund të luajë një rol”, beson Sretenoviq.
Kina është një partner, por edhe një konkurrent i BE
Ai thekson gjithashtu se Kina ka nevojë për Francën si një vend të rëndësishëm evropian, si një nga dy motorët e BE-së (së bashku me Gjermaninë) dhe se temë në Paris ishin kryesisht marrëdhëniet ekonomike, ku siç thotë ai, ka probleme të theksuara.
“Por në një nivel strategjik, Kina ka nevojë për BE-në, sepse Kina është i vetmi faktor që në këtë moment mund të ndikojë në Rusi në drejtim të qetësimit të luftës në Ukrainë, nëse jo ndalimit të saj”, shpjegon ai.
Nga pikëpamja ekonomike, Kina është një partner i BE-së, por edhe një konkurrente, e cila, siç thotë ai, vërshon tregun europian me mallra, ndërhyn me shtetin në çështjet e tij ekonomike, gjë që është e papranueshme nga pikëpamja të ekonomisë liberale të BE-së”, nuk respekton disa rregulla të BE-së për cilësinë e prodhimit, të drejtën e autorit etj.
Vizita në Francë është gjithashtu simbolike, vlerëson Sretenoviq, sepse ajo u bë në 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe franko-kineze në vitin 1964, kur Franca, pas një periudhe shumë të vështirë luftërash në Indokinë, Algjeria njohu Kinën komuniste.
komentet