Stano: BE nuk ka parë ende hapa për deeskalim të vërtetë, masat e vendosura në Kosovë si përgjigje ndaj situatës para 24 shtatorit
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano ka deklaruar sot se vendet anëtare të BE-së nuk kanë parë hapa të mjaftueshëm të kënaqshëm drejt deeskalimit të vërtetë dhe kujtoi se masat e vendosura në Kosovë janë përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj eskalimit të situatës para 24 shtatorit.
Stano kujtoi se BE e kishte të qartë se derisa të ketë hapa të mjaftueshëm që të çojnë në deeskalimin, masat do të jenë në fuqi dhe vuri në dukje se nuk ka rrugë tjetër për Beogradin dhe Prishtinën, përveç dialogut.
“BE është ndërmjetës në dialog. Nuk ka asgjë të re për të thënë, rruga e BE-së e Serbisë dhe Kosovës pashmangshmërisht kalon përmes dialogut. Të dyja palët duhet të kuptojnë se dialogu duhet të vazhdojë. Kur është fjala për hetimin e ngjarjeve në Banjskë, e përsëris, kur të përfundojë hetimi, kur të përcaktohet se kush qëndron pas sulmit, atëherë mund të ndërmarrim hapa të caktuar”, tha Stano.
Ai shtoi se BE e ka bërë të qartë disa herë se është e gatshme për masa kufizuese.
“BE e ka të qartë, nëse nuk ka deeskalim, nëse situata eskalohet, ne jemi të gatshëm të vendosim disa masa, disa prej të cilave tashmë janë paraqitur. Jemi të gatshëm, nëse anëtarët e BE-së vendosin, të marrim masa, jo vetëm kundër Kosovës, por edhe ndaj Serbisë. Ato masa janë fleksibël, pasi mund të futen, mund të zbuten ose të hiqen”, theksoi Stano.
Ai tha se Brukseli aktualisht është i interesuar të shohë hapa të qartë drejt deeskalimit, që të dyja palët të kthehen në dialog, dhe pritet një raport për ngjarjet e 24 shtatorit.
“Ne presim bashkëpunim të plotë nga Serbia, nëse ka vullnet ka mënyra për të bashkëpunuar, nuk na takon ne të dërgojmë mesazh përmes publikut, partnerët tanë serbë e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë pritet prej tyre", ka thënë Stano.
komentet