Stano: BKS të formohet pa vonesa të mëtejshme
Zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se Bashkësia e Komunave Serbe nuk do të jetë tema kryesore në takimin e kësaj të enjte në Bruksel, por ai theksoi se çështja është "gjithmonë e pranishme" dhe se është e nevojshme të formohet BKS pa vonesa të mëtejshme.
Në konferencën për media, Stano përkujtoi se formimi i BKS-së është një kërkesë dhe obligim i kahershëm i Kosovës që duhet të përmbushet urgjentisht.
“Kjo është përsëritur disa herë nga BE dhe në nivelin më të lartë, në nivelin e liderëve evropianë. Nëse Kosova nuk e bën këtë, nuk do të shihet si shenjë pozitive e vullnetit për të vazhduar me normalizimin e marrëdhënieve, që tani lidhet me suksesin e Kosovës në rrugën drejt BE-së”, tha Stano.
Ai tha se takimi i kryenegociatorëve të Beogradit dhe Prishtinës të enjten në Bruksel do të fokusohet në çështjet e diskutuara në javët e kaluara në Bruksel, në radhë të parë për pasojat e vendimit të BQK-së për dinarin.
“Pra, Bashkësia si e tillë në fakt nuk është një nga temat kryesore, por është gjithmonë e pranishme, në çdo takim, në të gjitha ndërveprimet tona me partnerët kosovarë. Sepse ajo është një nga kushtet, përmbushja e të cilit është shumë urgjente pa vonesa të mëtejshme”, porositi Stano.
komentet