Stano: E shohim pozitivisht thirrjen për riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) Peter Stano ka mirëpritur pjesët e fjalimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që kanë të bëjnë me kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës.
“Mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar pjesëmarrjen në dialogun e udhëhequr nga BE. E shohim pozitivisht thirrjen për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet në Kosovë dhe riintegrimin e serbëve të Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës që u larguan në vitin 2022”, ka thënë Stano në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Ai përkujtoi se BE-ja vazhdimisht i bëri thirrje Beogradit që të inkurajojë dhe Prishtinës që të lehtësojë riintegrimin e serbëve të Kosovës.
Në fjalimin e tij më 13 shtator, Vuçiq kërkoi shpalljen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kthimin e serbëve në polici dhe drejtësi dhe tërheqjen e forcave speciale të policisë nga veriu i Kosovës.
Përmbushja e kësaj kërkese, sipas qëndrimit të Serbisë, është parakusht për përparim në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e Brukselit.
‘Retorika ndezëse rrezikon sigurinë’
Stano ka deklaruar se retorika ndezëse dhe veprimet e njëanshme janë në kundërshtim me dialogun.
“Ata kërcënojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sigurinë e qytetarëve”, tha Stano.
Ai përsëriti thirrjen e BE-së për depërshkallëzimin e situatës dhe për zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm të marrëveshjes. Ai u bëri thirrje të dyja palëve të konfirmojnë angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit.
"Marrëveshjet e dialogut parashikojnë hapat dhe procedurat që kjo të ndodhë, veçanërisht në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. Në këtë kontekst, zbatimi i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm", tha Stano.
Ai konfirmoi synimin e BE-së për të mbajtur një raund dialogu në nivel të negociatorëve kryesorë të martën, më 17 shtator, por tani për tani mbetet e pasigurt nëse do të ketë një takim të përbashkët.
Sipas Radios Evropa e Lirë (REL), negociatorët Petar Petkoviq nga Beogradi dhe Besnik Bislmi nga Prishtina kanë konfirmuar mbërritjen e tyre në Bruksel të martën, ndërsa ka një konfirmim jozyrtar se do të bisedojnë ndaras me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.
Burime nga Brukseli thonë se të dyja palët janë përpjekur të diktojnë axhendën e takimit trepalësh, se nuk kanë rënë dakord me atë që ka kërkuar pala tjetër, dhe se injoruan propozimin origjinal të agjendës evropiane për bisedimet.
komentet