Staroviq: Heqja e masave ndaj Prishtinës është e parakohshme, pres obstruksione në veri

Nemanja Starović
Burim: Facebook

Ministri për Integrimet Evropiane i Serbisë, Nemanja Staroviq, ka deklaruar se heqja graduale e masave kufizuese që BE-ja i ka vendosur Prishtinës është e parakohshme, pasi, siç paralajmëroi, mund të pritet një varg obstruksionesh në vazhdimin e procesit të riintegrimit të serbëve në institucionet në veri, transmeton RTV.

Staroviq rikujtoi se masat kufizuese të BE-së ndaj Prishtinës janë vendosur në qershor të vitit 2023.

“Atëherë janë listuar kërkesat ndaj njërës dhe palës tjetër, ndaj Beogradit dhe Prishtinës, se çfarë duhet të bëhet për të ardhur deri te deeskalimi i situatës në terren, para së gjithash në veri të Kosovës dhe Metohisë. Edhe me faktin se janë mbajtur zgjedhjet lokale, se serbët kanë marrë pjesë dhe se Prishtina, siç thonë, nuk e ka obstruktuar procesin e tranzicionit të marrjes së detyrës nga katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës dhe Metohisë”, tha Staroviq për Tanjug.

Ai vlerësoi se ndalimi i fondeve të BE-së nuk ka pasur efekt politik, sepse, sipas tij, Kurtit i sjell më shumë pikë politike represioni ndaj serbëve.

“Sipas disa analizave që mund t’i lexojmë, efekti i drejtpërdrejtë i këtyre masave respektive gjatë dy vjetëve e gjysmë të fundit ndaj Prishtinës pasqyrohet në faktin se u janë ndaluar deri në 600 milionë euro, që nuk është një shumë e vogël. Por, fatkeqësisht, nuk ka pasur asnjë efekt politik, sepse kjo nuk ka ndikuar në vetë politikat që zbaton Albin Kurti, duke llogaritur se atij, dukshëm, i sjell më shumë pikë politike represioni ndaj serbëve sesa ruajtja e asaj mbështetjeje financiare”, theksoi Staroviq.

Duke folur për samitin e fundit BE–Ballkani Perëndimor, Staroviq përsëriti se mospjesëmarrja e Serbisë ishte një përgjigje adekuate ndaj mesazhit shumë të keq që iu dërgua shtetit, por se anëtarësimi në BE mbetet qëllim strategjik i Serbisë, transmeton RTV.

Staroviq tha se pas katër vjetësh dhe pesë raporteve vjetore radhazi të Komisionit Evropian, i cili është i vetmi kompetent për të dhënë rekomandime dhe për të vlerësuar nëse një shtet e ka merituar hapjen e klasterëve, Serbisë i është dërguar një mesazh i keq.

“Ky mesazh, nga njëra anë, i dekurajon bartësit e proceseve reformuese në Serbi, ndërsa nga ana tjetër përfaqëson dhuratën më të mirë për të gjitha forcat antievropiane, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Dhe kjo mosshkuarje në atë samit ishte përgjigjja jonë se nuk pajtohemi me këtë lloj mesazhi dhe se nuk duam të marrim pjesë në të në këtë mënyrë”, theksoi Staroviq.

Anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian, shtoi Staroviq, mbetet qëllimi dhe zgjedhja jonë strategjike, të cilën, siç theksoi ai, e kemi bërë shumë kohë më parë.

“Duhet të kuptojmë se edhe rruga drejt anëtarësimit është shumë e rëndësishme, sepse gjithçka që kemi arritur në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe të përmirësimit të pozitës socio-ekonomike të popullit tonë, nuk do të ishte e mundur po të mos ishim gjatë gjithë këtyre viteve në rrugën drejt anëtarësimit dhe po të mos kishim përparuar”, theksoi ministri për integrime evropiane.

Staroviq theksoi se që në janar të vitit 202… janë miratuar amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me gjyqësorin, të cilat në atë kohë përbënin kërkesën e fundit për hapjen e Klasterit 3.

“Fatkeqësisht, një muaj më vonë filloi lufta në Ukrainë dhe kjo nuk u valorizua në mënyrën që duhej. Një varg i tërë procesesh reformuese që janë zbatuar, deri te elementet shumë të rëndësishme gjatë këtij viti, si miratimi i paketës së ligjeve mediatike, miratimi i ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për listën e vetme zgjedhore, si dhe përfundimi në këtë mënyrë i procesit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të REM-it, ku edhe pushteti ekzekutiv, por edhe shumica qeverisëse në kuptimin më të gjerë, e personifikuar para së gjithash në kryetaren e Kuvendit Popullor, Ana Brnabiq, treguan një qasje plotësisht gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse”, tha Staroviq.

Ai theksoi se një pjesë e këtyre është njohur në raportin vjetor të Komisionit Evropian për përparimin e Serbisë, ndërsa një pjesë jo, duke pasur parasysh se korpusi i të dhënave është mbyllur më 1 shtator të këtij viti.

“Shumëçka kemi bërë në katër muajt e fundit pas mbylljes së raportit. Dhe kjo është, pa dyshim, arsyeja pse Komisioni Evropian ka dhënë sërish jo vetëm vlerësimin për gatishmërinë teknike, por edhe rekomandimin ndaj shteteve anëtare që të bëhet hapja e Klasterit 3, gjë që nuk ka ndodhur”, theksoi Staroviq.