Stoltenberg: Rritja e patrullave në veri të Kosovës, Beogradi dhe Prishtina të sillen me përgjegjësi
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit të ministrave të mbrojtjes të aleancës ushtarake perëndimore në Bruksel, theksoi se NATO ka vendosur më shumë patrulla në veri të Kosovës dhe i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të sillen me përgjegjësi dhe t'i kthehen dialogut.
“Në përgjigje të tensioneve të fundit në Kosovë, NATO ka përforcuar KFOR-in me qindra trupa shtesë në javët e fundit. Ne jemi duke vendosur më shumë patrulla në veri të Kosovës”, ka shpjeguar ai në konferencën për media.
Ato masa, shtoi ai, u morën për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së.
"Beogradi dhe Prishtina duhet të sillen me përgjegjësi, të përmbahen nga veprimet destabilizuese dhe të riangazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Kjo është mënyra e vetme për paqe të qëndrueshme në Kosovë”, nënvizoi Stoltenberg.
Në pyetjen shtesë për situatën në Kosovë, ai tha se NATO në Kosovë ka mandat të qartë të marrë nga OKB dhe vazhdon ta zbatojë atë dhe se nuk ka asnjë indikacion se mandati do të ndryshojë.
“Ne kemi përgjegjësi në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë. Ne e marrim atë shumë seriozisht. Ne kemi shtuar praninë tonë me 700 ushtarë, me batalione të reja nga Rumania, Bullgaria dhe Britania e Madhe. Këtë e kemi diskutuar edhe në takimin e sotëm”, ka shtuar ai.
Stoltenberg theksoi se prania në veri është shtuar për shkak se situata në Kosovë është ende e tensionuar dhe e vështirë.
“Mesazhi nga takimi për Beogradin dhe Prishtinën është se ata duhet të përmbahen nga veprimet që mund të rrisin tensionet dhe të shmangin retorikën nxitëse. Beogradi dhe Prishtina janë gjithashtu të ftuar të vazhdojnë dialogun. Ky është mesazhi i takimit, se BE dhe NATO bashkëpunojnë ngushtë dhe se prania e NATO-s në Kosovë mbështet angazhimin diplomatik të BE-së”, tha ai.
0 komentet