Surliq: Fokusi i fushatës së Kurtit do të jenë armiq imagjinarë në komunitetin serb
Docenti i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surliq, deklaroi për Kosovo online se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk mund ta zhvillojë fushatën e ardhshme zgjedhore mbi temat e luftës kundër korrupsionit dhe krimit, por se atë do ta bazojë, siç tha ai, te armiqtë imagjinarë në komunitetin serb.
“Kurti në fushatat e mëparshme i ka shfrytëzuar tashmë temat në veri të Kosovës, nga targat e deri te ndërtimi i urës, duke pretenduar se e ka forcuar plotësisht sovranitetin në veri. Mendoj se nuk ka asnjë temë tjetër për të ofruar, as zhvillim ekonomik e as përparim të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, ndërkohë që pikërisht mbi këtë temë ai erdhi për herë të parë në pushtet”, rikujtoi Surliq.
Sipas tij, Kurti do të mbështetet në krijimin e armiqve imagjinarë mes serbëve, të cilët tashmë përballen me probleme të përditshme ekzistenciale.
“E vetmja temë që ka në dorë është krijimi i armiqve imagjinarë në komunitetin serb, i cili është plotësisht i fragmentuar dhe përballet çdo ditë me çështje infrastrukturore dhe ekzistenciale”, tha ai.
Tema tjetër e fushatës së Kurtit do të jetë, sipas Surliqit, integrimi i institucioneve arsimore dhe shëndetësore serbe.
“Çështja tjetër që do ta përdorë si temë, të cilën tashmë e kanë paralajmëruar edhe anëtarët e ekipit negociator, është e ashtuquajtura integrim i arsimit dhe shëndetësisë, para së gjithash goditje ndaj universitetit dhe institucioneve arsimore”, tha ai.
Sipas vlerësimit të tij, qëllimi i këtyre veprimeve është shuarja e universitetit.
“Kjo është një lloj prove demonstrative, ku qëllimi është shuarja e universitetit, por edhe integrimi i plotë i sistemit arsimor në sistemin e Kosovës, gjë që për shumicën e serbëve është plotësisht e papranueshme”, përfundoi Surliq.
0 komentet