Surlliq: Nuk do të ketë ndryshim në politikë në Prishtinë derisa e gjithë shoqëria t'i ndjejë pasojat përmes sanksioneve konkrete
Stefan Surlliq, asistent profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, tha për RTS se nuk do të ketë ndryshim në politikë në Prishtinë derisa e gjithë shoqëria në Kosovë të ndjejë pasoja të caktuara përmes sanksioneve specifike, duke theksuar se tani për tani vetëm Albin Kurti përballet me disa masa që nuk quhen sanksione.
Ai theksoi se anketat tregojnë se popullariteti i Kurtit po rritet në Kosovë dhe se shumica e qytetarëve të nacionalitetit shqiptar e mbështesin realisht politikën që ai po e zbaton aktualisht në veri.
“Që do të thotë se ata nuk shohin asnjë pasojë nga një politikë e tillë”, thekson Surlliq.
Sa i përket situatës në Kosovë, Surlliq tha se topi është në fushën e aktorëve ndërkombëtarë dhe se kjo është një pikë kthese që mund të vërë në pikëpyetje të gjithë dialogun e Brukselit dhe gjithçka që është bërë deri më tani në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Megjithatë, topi është në fushën e aktorëve ndërkombëtarë. A do të krijojnë vërtet parakushtet për deeskalimin? A do të ushtrojnë presion vendimtar mbi Prishtinën dhe do ta ndryshojnë këtë gjendje faktike, e cila është e paqëndrueshme në afat të gjatë sa i përket jetës së njerëzve në veri të Kosovës? Në këtë kuptim, mendoj se deeskalimi sigurisht që mund të jetë përmes dialogut dhe është e rëndësishme që të dy palët të takohen dhe takimet në Bruksel të mos refuzohen, por as nuk duhet t'i zhvlerësohet të gjithë dialogut se pas kaq vitesh kemi ende temën e sigurisë së njerëzve, të drejtat dhe liritë e tyre themelore”, porositi Surlliq.
Ai tregon se, për fat të keq, aktorët ndërkombëtarë ende vëzhgojnë të gjithë Ballkanin Perëndimor përmes menaxhimit të krizave dhe ata këmbëngulin që së pari të vendoset paqja dhe gjithçka tjetër mund të jetë objekt kompromisi.
I pyetur nëse pret që Prishtina të dënohet për lëvizjet e fundit, Surlliq thotë se retorika është sigurisht më e ashpër, por ende përdoret fjalori i zakonshëm diplomatik “ftojmë dy palët”.
“Ne nuk duhet të vazhdojmë të përdorim atë lloj formulimi të zbutur diplomatik që nuk ka kuptim. Përgjegjësia kyçe këtu është një palë, ajo është Prishtina. Zhozef Borel vuri në dukje kushtet që i përsëriti edhe presidenti Aleksandar Vuçiq. Deeskalimi mund të ndodhë nëse tërhiqen forcat speciale të policisë, nëse ndërrohen kryekomunarët ekzistues, shpallen zgjedhje të reja dhe fillon formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe. Kurti tani për tani po përballet vetëm me disa masa, dhe ato nuk quhen sanksione”, ka shtuar Surlliq.
Duke folur për propozimet për përsëritjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës, Surlliq thotë se beson se kjo është e vetmja rrugëdalje dhe se është e vetmja gjë e pranueshme.
“Duhet të ketë një qeveri legjitime dhe legale të zgjedhur nga shumica e popullatës në veri. Në këtë rast ata janë përfaqësues të komunitetit serb dhe vetëm atëherë mund të flitet për Bashkësinë e Komunave Serbe dhe sigurimin e asaj që është jetike për to, dhe kjo është autonomia në sferat kryesore që përfshijnë shëndetësinë, arsimin, zhvillimin lokal dhe planifikimin”, thotë Surlliq.
komentet