Von der Lajen: Beogradi dhe Prishtina duhet ta shfrytëzojnë momentin

Ursula fon der Lajen
Burim: Gazeta Express

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Lajen, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është i një rëndësie të madhe, vendimtare për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit, dhe se shpreson se të dyja palët do ta “shfrytëzojnë momentin” në dialog dhe do të jenë konstruktivë në bisedimet e ardhshme, raporton RTV.

Këtë ajo e ka thënë gjatë një interviste të organizuar nga Agjencia Evropiane e Lajmeve, anëtare e së cilës është Tanjug, së bashku me 16 agjenci të tjera.

Për rikujtimin e Tanjugut se dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës ka diskutuar edhe me presidentin amerikan Zhozef Bajden dhe e pyetur se sa e rëndësishme është për procesin e zgjerimit dhe stabilitetin e Evropës që Beogradi dhe Prishtina të normalizojnë marrëdhëniet, si dhe se cilat do të ishin pasojat nëse negociatat e 18 marsit në Ohër nuk sjellin rezultat, von der Lajen tha se kjo është një mundësi për të dyja palët dhe shprehu shpresën se do të jenë konstruktive.

“Lufta në Ukrainë nënvizoi rëndësinë gjeostrategjike të procesit të zgjerimit. Ne dëshirojmë që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor të jenë sa më afër nesh dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, tha von der Lajen.

Kur është fjala për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ajo ka tënë se ekziston një plan evropian dhe ai plan është në tavolinë.

"Mendoj se tani është një mundësi reale për të dyja palët që ta shfrytëzojnë momentin. Normalizimi është i një rëndësie të madhe, vendimtare për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e rajonit. Shpresoj me të vërtetë që të dyja palët të jenë shumë konstruktive në bisedimet e ardhshme”, tha von der Lajen. 

Kur u pyetën se cilat mund të jenë pasojat për të dyja palët nëse dialogu nuk jep rezultate,
ajo tha se duhet të presim negociatat dhe më pas të shohim rezultatet.

“Le të negociojmë së pari, dhe më pas do të shikojmë rezultatet”, përfundoi von der Lajen.