Vuçeviq: Nuk e kuptoj se si bashkësia ndërkombëtare nuk mund ta frenojë Kurtin
Kryeministri serb Millosh Vuçeviq tha për RTS se Albin Kurti ka një plan për hapjen e urës dhe të bashkojë Miutrovicën Veriore dhe Jugore, duke theksuar se nuk mund ta kuptojë se bashkësia ndërkombëtare nuk ka mjete për të frenuar kryeministrin e Kosovës.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe lëvizjet e papërgjegjshme të Albin Kurtit vazhdojnë. Po, plani i tij është që të hapë urën e Ibrit dhe në këtë mënyrë të lidhë me forcë Mitrovicën Veriore dhe Jugore, po flasim edhe për trafikun rrugor”, tha Vuçeviq.
Ai ka shtuar se përkundër situatës së vështirë, është i kënaqur me reagimet e bashkësisë ndërkombëtare, mbi të gjitha të kreut të KFOR-it.
“Dje, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë ka pasur bisedime me komandantin e KFOR-it dhe ia ka përcjellë shumë qartë qëndrimet tona. Petar Petkoviq, si drejtor i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, i njoftoi përfaqësuesit e vendeve të Quint-it për përpjekjen e madhe për destabilizimin e pjesës veriore të Kosovës dhe Metohisë për shkak të aktiviteteve të regjimit të Kurtit. Shpresoj që të gjithë të jenë të arsyeshëm dhe të matur për të mos lejuar që këto gjëra të ndodhin, dhe nëse ndodh, nuk mund ta kuptoj vërtet se nuk kanë mjete dhe instrumente për të frenuar Albin Kurtin. Nuk mund ta pranoj këtë. Se të gjithë i thonë se nuk guxon ta bëjë, por gjithsesi e bën”, tha Vuçeviq.
Kryeministri shtoi se populli serb çdo ditë është nën presion të madh.
“Prishtina ka uzurpuar prona, objekte afariste dhe banesa në veri të Mitrovicës, çdo ditë arrestohen persona, një ditë më parë është arrestuar një 70 vjeçar për pushkë gjuetie. Çdo ditë arrestohet dikush, javën e kaluar janë arrestuar pesë serbë në Pasjan. E gjithë kjo, natyrisht, vendoset në kontekstin e shtetit ligjor dhe të zbatimit të ligjit dhe rendit. Për ta, natyrisht, e ashtuquajtura Kosovë është shtet i pavarur, prandaj duhet të funksionojnë me kapacitet të plotë dhe ai kapacitet është gjithmonë në kurriz të serbëve. Kam frikë se lëvizja e radhës e Kurtit do të jetë sulmi ndaj sistemit tonë arsimor, ai tashmë ka sulmuar sistemin tonë shëndetësor. Praktikisht kjo do t'i shfuqizojë të gjitha institucionet që kanë serbët dhe për të cilat është rënë dakord përmes procesit të dialogut si garanci për mbijetesën e serbëve në Kosovë dhe Metohi”, ka përfunduar Vuçeviq.
komentet