Vuçiq: Plenkoviqi më tha se aleanca ushtarake e Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës nuk është e drejtuar kundër Serbisë

Aleksandar Vučić
Burim: Kosovo Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se në Nju Delhi ka zhvilluar bisedime me shumë zyrtarë, në margjinat e Samitit për Inteligjencën Artificiale, mes të cilëve edhe me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenkoviq. Vuçiq tha se Plenkoviqi i ka thënë se aleanca ushtarake e Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës nuk është e drejtuar kundër Serbisë.

“Kam biseduar edhe me kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenkoviq dhe për herë të parë për temën e aleancës ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Nuk do të ishte e drejtë të them gjithçka, por në një fjali mund të them se Plenkoviqi tha se kjo nuk është e drejtuar kundër Serbisë. Çdo gjë tjetër që do të thosha do të dilte jashtë kornizave të sjelljes së mirë dhe do të shkelte rregullat e besimit të ndërsjellë dhe të bisedës racionale që keni në raste të tilla”, u tha Vuçiq gazetarëve.

Ai theksoi se ka biseduar gjatë, pothuajse 45 minuta, me presidentin francez Emmanuel Macron.

“Biseduam për të gjitha çështjet e rëndësishme në Evropë, për rrugën evropiane të Serbisë, për çështje strategjikisht të rëndësishme për vendin, analizuam situatën gjeopolitike. Dëgjova qëndrimet e Emmanuel Macronit dhe e kuptova mirë se çfarë dhe si mendon se do të zhvillohen gjërat”, përcolli presidenti i Serbisë.

Ai shtoi se është takuar edhe me liderë të tjerë si kryeministri i Finlandës, presidenti i Estonisë, kryeministrat e Holandës dhe Greqisë, ndërsa më gjatë ka biseduar me presidentin e Sllovakisë, mikun e tij Peter Pellegrini, si dhe me liderë nga vendet aziatike si Nepali, Butani dhe Sri Lanka, për çështje kyçe për botën në të ardhmen.

I pyetur për deklaratat e kryeministrit kroat lidhur me aleancën ushtarake të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës dhe pretendimet se ajo është krijuar për të përgatitur anëtarësimin e Prishtinës në NATO, Vuçiq u përgjigj se kjo nuk ka asnjë lidhje.

“Sa i përket aleancës ushtarake, ajo që mendoj është e njëjtë si dje dhe pardje, por nga mirësjellja nuk e thashë çfarë mendoj, sepse pastaj do të duhej t’i lejoja edhe Plenkoviqit të përgjigjej dhe ta kthenim në grindje. Sa i përket pranimit në NATO… sikur duhen përgatitje të mëdha për hyrje. Pse nuk i kanë pranuar? Duhet përgatitje e madhe? Mos bëni shaka. Mali i Zi ka qenë shumë i përgatitur për hyrje në NATO, ashtu si edhe Maqedonia e Veriut”, theksoi Vuçiq.

Ai vuri në dukje se ushtria e Kosovës, sipas listave indeksuese amerikane, është më e fortë se këto dy vende (Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut), por nuk është pranuar sepse në NATO ka katër shtete anëtare që nuk e njohin Kosovën.

Vuçiq shtoi se NATO mund ta realizojë pranimin kur të dojë, sepse, sipas tij, nuk i intereson rendi juridik ndërkombëtar. Po të ishte ashtu, tha ai, nuk do ta kishte sulmuar kurrë Serbinë.

“Vetëm mos na flisni për respektimin e parimeve, të drejtave të popujve dhe Kartës së OKB-së, si dhe të integritetit territorial”, deklaroi Vuçiq.

Sa i përket deklaratës se për Serbinë është i pranueshëm anëtarësimi në BE pa të drejtë vetoje, Vuçiq tha se gjithçka që ka të bëjë me krijimin e tregut unik dhe hapësirës pa kufij është gjithmonë e pranueshme dhe më e rëndësishme për Serbinë, sepse përndryshe mund të pritet pesë, 10 apo 20 vjet, dhe është pyetje nëse dikush do të hyjë fare.

“Në këtë mënyrë të gjithë do të kishim përfitime. Po shkohet drejt formimit të një Evrope me disa shpejtësi. Ne duam të marrim tregun unik, hapësirën pa kufij dhe përfitime të tjera. Sigurisht është më mirë sesa të mos marrim asgjë. Por pyetja është nëse do ta marrim edhe këtë”, theksoi presidenti i Serbisë, duke shtuar se edhe Shqipëria dhe të tjerët kanë thënë të njëjtën gjë.

Ai njoftoi se me presidentin francez Emmanuel Macron do të ketë edhe një bisedë tjetër strategjike brenda një ose dy muajve, si dhe se pret vizitën e ministrave të jashtëm të Italisë dhe Gjermanisë nga muaji prill.