Zaharova: Administrata e Prishtinës po e pastron Kosovën nga serbët me ritme të përshpejtuara

Skopje_231201_Marija Zaharova 03
Burim: Kosovo Online

Duke shfrytëzuar suksesin në zgjedhjet e fundit parlamentare, administrata e Prishtinës po e nxit spastrimin e Kosovës nga popullsia serbe, deklaroi zëdhënësja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, transmeton Sputnik.

“Përpjekja e të ashtuquajturave autoritete të Kosovës për të treguar një proces demokratik, në praktikë po degradohet. Duke shfrytëzuar suksesin në zgjedhjet e fundit parlamentare, administrata e Prishtinës po e nxit spastrimin e krahinës nga popullsia serbe. Kështu quhet ajo që po ndodh atje. Listës Serbe fjalë për fjalë ia morën një mandat për t’ia dhënë një aktivisti marionetë, i cili gjoja do ta përfaqësojë popullsinë serbe në kuvend”, theksoi ajo.

Ajo u ndal edhe te zbatimi i Ligjit për të huajt. Siç theksoi, kryeministri në detyrë Albin Kurti, të cilin e ka “përkëdhelur Perëndimi”, sillet sikur gjithçka i lejohet.

“Po zhvillohet një tallje me të drejtat e serbëve. I ashtuquajturi kryeministër, nacionalisti ekstrem Kurti, të cilin Perëndimi e ka përkëdhelur, më saktë e ka prishur duke i lejuar gjithçka, ka paralajmëruar se më 15 mars do të zbatojë të ashtuquajturin Ligj për të huajt, i cili ndalon qëndrimin në krahinë më të gjatë se tre ditë për të gjithë ata që nuk kanë, siç tha ai, shtetësi të Kosovës ose ndonjë lloj lejeje. Në këtë mënyrë, serbët që jetojnë në territoret e tyre historike, punojnë dhe arsimohen, në fakt shpallen të huaj”, shpjegoi ajo.

Ajo komentoi edhe Ligjin për automjetet, i cili, siç thotë ajo, godet të gjithë parkun e automjeteve serbe, përfshirë edhe ato të institucioneve shëndetësore dhe arsimore.

“Ku keni parë një demokraci të tillë? Ku është i gjithë ai Bruksel kolektiv që i ka premtuar kaq shumë Beogradit, ka vizatuar perspektivën evropiane, e që nuk i sheh problemet që po i krijohen popullit serb?”, tha ajo, duke shtuar se me të gjitha këto po shkelen të drejtat e popullit jo-shqiptar.