Zeman: I kuptoj ata që thërrasin “Kosova është Serbi”

Zeman
Burim: Fejsbuk

Ish-presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, tha në fjalimin e tij në pritjen e organizuar në Ambasadën e Serbia në Pragë, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, se i kupton ata që thërrasin “Kosova është Serbi” dhe rikujtoi kërkimfaljen e tij për agresionin e NATO-s ndaj RF të Jugosllavisë.

Zeman theksoi se me kënaqësi e kishte pranuar ftesën e ambasadorit të Serbisë në Republikën Çeke, Berisllav Vekiq, dhe bashkëshortes së tij për kremtimin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë.

“Ky festim i rëndësishëm shënon fillimin e shtetësisë moderne serbe, më saktë fillimin e Kryengritjes së Parë Serbe kundër sundimit osman në vitin 1804 dhe miratimin e kushtetutës së parë moderne të Serbisë në vitin 1835. Në fjalën time hyrëse rikujtova kërkimfaljen time publike për agresionin e NATO-s ndaj Jugosllavisë së atëhershme në vitin 1999. E shpreha atë gjatë vizitës së mikut tim, Aleksandar Vuçiq, në Pragë në vitin 2021. Atëherë, presidenti i Republikës së Serbisë dhe unë shkëmbyem gjithashtu dekoratat më të larta të vendeve tona, duke konfirmuar simbolikisht miqësinë e mirë dhe përkushtimin për bashkëpunim mes popullit çek dhe atij serb”, shkroi Zeman në Facebook.

Ish-presidenti çek tha gjithashtu se preku edhe pikën e dhimbshme që quhet Kosova.

“Si president i Republikës, refuzova të emëroj ambasador çek në Kosovë dhe i kuptoj ata që thërrasin ‘Kosova është Serbi’. Përmenda edhe fjalët e tjera që tradicionalisht lidhen me emblemën e Mbretërisë së Serbisë dhe Republikës së Serbisë: ‘Vetëm uniteti e shpëton serbin – Vetëm bashkimi do t’i shpëtojë serbët’. Ju uroj, miq serbë, të gjitha të mirat me rastin e Ditës së Shtetësisë së vendit tuaj”, theksoi Zeman mbrëmë gjatë kremtimit të Ditës së Shtetësisë së Serbisë.