Zyra për KdheM: Policia e Kurtit shërben për frikësimin dhe keqtrajtimin e serbëve

Kancelarija za KIM baner
Burim: Kancelarija za KIM

Zyra për Kosovë dhe Metohi ka reaguar me një komunikatë në të cilën thuhet se Bojan Zdravkoviq nga Paralova afër Gjilanit dhe babai i tij i sëmurë dje kanë pësuar dhunë fizike dhe verbale nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës në pikën kufitare Bela Zemlja- Dheu i Bardhë, duke theksuar se incidente të tilla e përkeqësojnë edhe më shumë pozitën e serbëve në Kosovë.

“Keqtrajtimi i djeshëm nga pjesëtarët e të ashtuquajturës polici e Kosovës në pikën administrative Bela Zemlja ndaj Bojan Zdravkoviqit nga Paralova afër Gjilanit dhe babait të tij të sëmurë është një shembull i ri i brutalitetit të regjimit të Kurtit dhe shtypjes së serbëve në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë. Pasi nuk u lejuan të kalonin vijën administrative, një nga pjesëtarët e policisë së Kosovës refuzoi t’ia kthente dokumentet Bojan Zdravkoviqit, më pas e sulmoi fizikisht dhe i drejtoi një varg fyerjesh mbi baza kombëtare. Sipas dëshmisë së vetë Zdravkoviqit, policët e Kurtit më pas e ndoqën me makinë dhe, duke përdorur forcë, e ndaluan atë dhe babain e tij për një bisedë informative ku u mbajtën për dy orë”, thuhet në komunikatën e Zyrës për KeM.

Në komunikatë theksohet se një dhunë e tillë u shton frikën serbëve dhe tregon se policia në hapësirën e Kosovës, sipas pretendimeve të Zyrës, nuk i shërben ligjit, por frikësimit. Shtohet se sfidat e përditshme me të cilat përballen serbët kërkojnë ndryshim të retorikës së politikanëve në Prishtinë dhe reagime konkrete të misioneve ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut dhe sigurinë e popullit serb.

“Një dhunë e tillë e hapur ndaj njerëzve mbi baza kombëtare pasqyron peshën e pozitës së popullit serb në Kosovë dhe Metohi dhe u shton frikën serbëve, por gjithashtu dëshmon se policia e Kurtit në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë nuk i shërben rendit dhe ligjit, por frikësimit dhe keqtrajtimit të serbëve. Ka shumë sfida me të cilat përballen serbët në jetën e përditshme në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë dhe për të krijuar kushte elementare për një jetë të qetë të popullit tonë është e domosdoshme që para së gjithash të ndryshohet retorika nxitëse e politikanëve në Prishtinë, të cilët çdo ditë me deklaratat e tyre gjenerojnë dhunë dhe nxisin idenë e një hapësire etnikisht të pastër ku nuk do të ketë serbë. Përfaqësuesit e zyrës në terren janë në kontakt me familjen Zdravkoviq dhe sot do t’i vizitojnë, por është i domosdoshëm edhe reagimi konkret i misioneve ndërkombëtare dhe përfaqësuesve që kanë mandat të ndalojnë këtë përndjekje të popullit serb dhe të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe një jetë të sigurt për popullin tonë në KeM”, shtohet në komunikatë.