Zyra për KeM: U thyen dyert hyrëse të ambulancës serbe në fshatin Banjskë

banjska ambulanta razbijeno staklo
Burim: Kancelarija za Kosovo i Metohiju

Zyra për Kosov dhe Metohi njoftoi se persona të panjohur kanë thyer dyert hyrëse të ambulancës serbe në fshatin Banjskë, afër Vushtrrisë.

Siç theksohet, pamjen e xhamave të shpërndarë dhe dëmtimeve e ka gjetur punonjësi i ambulancës, i cili mëngjesin e sotëm kishte ardhur në punë.

“Kjo është ambulanca e vetme serbe në këtë enklavë serbe, e cila u shërben disa dhjetëra familjeve serbe, kryesisht të moshuarve, të cilëve ndihma mjekësore u nevojitet më së shumti. Banorët e fshatit janë të shqetësuar dhe të revoltuar nga ky veprim dhe pyesin nëse kjo është një porosi se ata janë të padëshiruar këtu”, thuhet në njoftim.

Shtohet se përfaqësuesit e Zyrës në terren kanë vizituar vendin e incidentit dhe se në afatin më të shkurtër do të sanohen dëmet dhe ambulanca do të rikthehet në funksion, në mënyrë që populli serb të mos vuajë pasojat e veprimeve të tilla.

“Ky rast është vazhdim i fushatës antiserbe të ekstremistëve shqiptarë të drejtuar kundër serbëve dhe institucioneve serbe në Kosovë dhe Metohi, gjë që tregon qartë shkallën e urrejtjes dhe intolerancës, me qëllim të qartë që t’u pamundësohet jeta dhe mbijetesa popullit serb në krahinën jugore. Jemi dëshmitarë se autoritetet në Prishtinë, me veprimet e tyre antiserbe dhe retorikën e urrejtjes, nxisin incidente të tilla dhe përhapin intolerancë etnike”, thuhet më tej.

“Prandaj është e domosdoshme të rritet niveli i sigurisë në mjediset serbe në Kosovë dhe Metohi, gjë që janë të obliguar ta sigurojnë përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare, si dhe që autorët e këtij akti të gjenden dhe të ndëshkohen sa më shpejt, në mënyrë që t’u vihet fundi këtyre dhe rasteve të ngjashme të dhunës”, përfundon Zyra për KeM.