Ceko: Vendeve të Ballkanit Perëndimor, u nevojitet lidhja me BE por që nuk duhet të bëhen “bishti” i Europës
Shefi i administrimit të biznesit dhe teknologjisë së informacionit në Institutin Kanadez Teknologjik në Tiranë Enriko Ceko u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor në kuptimin strategjik lidhja me Unionin Europian është e domosdoshme por që kjo nuk do të thotë se duhet të marrin rrezikun për t’u bërë “bishti” i Europës.
"Kjo ndodh sepse Bashkimi Europian, si për shkak të kostove, ashtu edhe për rikonfigurimin e ekonomisë botërore, është bërë sallam mes sanduiçit. BE është futur në sanduiç, në njërën anë janë Rusia dhe Kina dhe nga ana tjetër janë Britania e Madhe dhe SHBA. Aq më tepër, qysh kur Britania doli nga Europa. Nën këto kushte, egziston vetëm një mënyrë që Unioni Europian të lehtësojë tensionet e veta ekonomike dhe kjo është çelja drejt tregjeve të reja, pakësimin e kostove të transportit, kostot logjistike, ato doganore dhe tarifat në përgjithësi", tha Ceko për Kosovo Onlajn.
Sipas fjalëve të tij, alternativa janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë një nga partnerët e rëndësishëm strategjikë sepse shërbyen si mbështetje politike për BE për të gjitha ndryshimet që ndodhën në Europë.
"Shtetet e Bashkuara ndihmuan në reformat institucionale dhe përshtatjet strukturore që ndodhën në të gjitha vendet e Bashkimit Europian pa dallim. Kjo ishte mbështetje parimore", tha Ceko.
Sikurse theksoi, Unioni Europian nuk ka burime natyrore, por ato në Europë ndodhen në Europën Juglindore dhe shumica e tyre janë në Ballkan, çka është avantazh për Ballkanin.
"Ky kufizim për Europën është avantazh për Ballkanin, ndërsa heqja e tarifave doganore do të mundësojë uljen e kostove për kompanitë europiane. Kompanitë europiane operojnë me kosto më të larta se kompanitë amerikane, kineze apo BRICS. Sigurisht që këtu egziston problem sepse padurimisht presim të hyjmë në Europë dhe jemi të shqetësuar për këtë vonesë në zgjerimin europian që nuk po ndodh ende, por kemi problem që shumë vende të Bashkimit Europian janë të lodhura nga zgjerimi", tha Ceko.
Në këtë situatë, theksoi ai, element që shkon në favor të të gjithëve në rajon, Shqipërisë, Sërbisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, B&H, është fakti që BE ka dy asa të rëndësishëm në dorë, fondet IPA dhe Fondin për Ballkanin Perëndimor.
"Pra, kemi këtë avantazh financiar krahasuar me vendet e tjera që dëshirojnë të integrohen në Europë, të cilat janë në rrugën e integrimit, por janë shumë prapa nesh. Nuk kanë rehatinë e fondeve IPA dhe fondeve të destinuara për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, kur flasim për fonde, dimë që Bashkimi Europian ka 'ngrirë' (të ndara) fondet e gatshme që do të jepen qysh prej momentit në përfshirjen tek Unioni Europian", tha Ceko.
Sipas fjalëve të tij, Kina është partner mjaft interesant, veçanërisht me projektin "Brez dhe rrugë", për financimin e projekteve mjaft të rëndësishme, përfshirë Ballkanin Perëndimor, projekte në infrastrukturën rrugore, në hekurudha.
"Problemi me Kinën është rreziku që ka Ballkani Perëndimor përballë një vendi kaq të madh. Ndaj mund të shndërrohemi në vend ku do të akumulohen produkte të kualitetit të dobët. Kina ka produkte të kualitetit shumë të mirë. Pra, qëllimi do të duhet të jetë që raportet me Kinën të shikohen në kuptimin e kualitetit, sigurisë dhe garancive sepse në momentin kur hyjmë në Europë, produktet dhe shërbimet që do të hyjnë në territorin tonë duhet të jenë të standardeve të BE. Ndaj, ne mund të bashkëpunojmë me Kinën, por prioritet mbeten produktet që i përgjigjen standarteve të BE. Kjo duhet të përcaktohet qysh prej fillimit, madje edhe para integrimit në Europë", tha Ceko.
komentet