Farizi: VMRO-DPMNE dominon, VLEN e shtyu BDI-në në zgjedhjet lokale
Analisti politik Lulzim Farizi vlerësoi se zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut konfirmojnë dominimin e VMRO-DPMNE-së në bllokun maqedonas, ndërsa blloku politik shqiptar ka pësuar ndryshime të mëdha, pasi VLEN ka arritur fitore bindëse, ndërsa BDI feston vetëm një fitore, në Çashkë.
„Në bllokun maqedonas gjithçka ishte e pritshme, VMRO-DPMNE ‘shkeli’ konkurrencën, jo vetëm në Shkup, por edhe në të gjithë vendin. Partia fitoi më shumë se 30 komuna në raundin e parë, dhe në të dytin priten edhe më shumë fitore,“ tha Farizi.
Ndryshimi i vërtetë, siç thotë, ka ndodhur në pjesën shqiptare të skenës politike, ku VLEN ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.
„Pasi VLEN u bë pjesë e pushtetit, pritej të fitonte në Tetovë dhe Çair, por përveç kësaj, e zbrapsi BDI-në dhe partitë e tjera shqiptare në disa komuna të Shkupit dhe Tetovës. Dhe tani BDI feston vetëm një fitore, në komunën e Çaşkës. Me këtë po fshehin një humbje të madhe në këto zgjedhje lokale,“ theksoi Farizi.
Ai shtoi se fituesi më i madh i zgjedhjeve është Arben Taravari dhe se në radhët e BDI-së mund të priten ndryshime.
„Tani në BDI do të ketë përfundime të tjera… Ndoshta disa do ta ndërtojnë të ardhmen në ndonjë parti tjetër politike, sidomos në VLEN. Mos harrojmë se kryetari aktual i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka qenë pjesë e asaj partie dhe një pjesë e madhe e tyre do t’i bashkohen atij për të qenë më afër pushtetit. Nuk besoj se BDI mund të mbijetojë pa pushtet qendror dhe lokal,“ beson Farizi.
Ai thotë se tani duhet treguar rezultate konkrete në terren.
„Pres që partitë politike të bëjnë një hap përpara, që tani kryetarët e komunave që kanë fituar të përveshin mëngët. Duhet të fillojnë të punojnë për përmbushjen e nevojave bazë të qytetarëve në komuna, para së gjithash në qytetin e Shkupit, për t’u përballur me problemet e ndotjes dhe transportit publik që prekin të gjithë,“ përfundoi Farizi.
0 komentet