Rritje e krimit në Shqipëri, shtatë të vrarë brenda javës
Shqipëria vitet e fundit po përjeton rritje të krimit veçanërisht dhunës ndaj grave, paralajmërojnë aktivistët ndërsa vetëm javën e fundit opinioni publik shqiptar është shokuar me ngjarjet në të cilat kanë ngelur të vrarë shtatë persona.
Në Tiranë tre ditë më parë shtetasi amerikan vrau të shoqen e vet e më pas u vetvra. Pjestar i policisë javën e kaluar në mes të ditës shtiu ndaj një mashkulli pasi dyshonte se kishte lidhje me të shoqen e tij. Në Pogradec u rrah për vdekje 40 vjeçari Egli Progu i cili u ndesh me një gjobvënës.
Në pushimoren e veriut në Velipojë, dy pronarë hotelesh, pas sherrit të shkurtër qëlluan për vdekje dy persona. Në fshatin Zhapokikë të Memaliajt, u gjet trupi i pajetë i 72 vjeçarit Faik Hajdini ndërsa për këtë krim akuzohet i riu 23 vjecar Blerti Kanushi. Ndërkohë të premten Policia e Francës ka ekstraduar në Shqipëri një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për dhunë ndaj të shoqes.
Avokatja Dorina Prethi, aktiviste e lëvizjes “Shqipëria bëhet” ka deklaruar për Kosovo onlajn se vendi vitet e fundit shënon rritje të krimit e veçanërisht dhunës ndaj grave.
“Këto ngjarje janë të gjitha që duhet të mirëmendohen nga shoqëria shqiptare të cilës i mungon inteligjenca emocionale. Duket se edukimi i njerëzve me inteligjencë emocionale, për t'u marrë me emocionet e tyre), tashmë është lënë pas dore dhe ne tashmë kalojmë në inteligjencën artificiale. Shumë njerëz kanë prirje për hakmarrje individuale, çka është rezultat i ndjenjave momentale. E konsiderojnë normale hakmarrjen me vrasje, por harrojnë se prej vdekjes nuk ka kthim pas. Nëse dikujt i merret jeta, kjo është e vetmja që nuk mund t'i kthehet. Kur të kuptojmë këtë, duhet të mësojmë të sillemi në shoqëri sipas normave të caktuara. Megjithatë, ato norma janë zëvendësuar me diçka tjetër. Njerëzit nuk dinë më të thonë 'më fal', 'të lutem', 'faleminderit'. Njerëzit sot janë bërë më të dhunshëm, më agresivë dhe kjo çon drejt krimit” beson Prethi.
Kjo e fundit bën të ditur se rritja e krimit në Shqipëri ka lidhje direkte me ligjet që nuk zbatohen por rol ka dhe papunësia dhe arsimi joadekuat.
“Nëse ligjet zbatohen dhe policia bën punën e vet, atëherë shoqëria kupton që shteti egziston që ligjet zbatohen dhe vihen në jetë. Aryet e tjera të vrasjeve janë të natyrës sociale e ekonomike. Në Shqipëri duket se krimi është në rritje si pasojë e papunësisë dhe kjo është arsyeja që njerëzit nuk janë të arsimuar në mënyrë adekuate. Siguria publike është problem në vendin tonë. Tek kjo ndikon shembulli madje dhe i planit urbanistik të qytetit. Shumë mendojnë se kjo nuk ka lidhje me krimin, por nëse në një lagje duhet të jetojnë të themi 200 banorë, jetojnë 2000, 6000 apo 7000 të tillë e kjo sigurisht do të rrisë probabilitetin e krimit, sepse ka më pak hapësirë dhe ka më shumë mundësi për keqkuptime” bën të diturt Prethi.
Kur është fjala rreth dhunës ndaj grave, Prethi beson se shoqëria shqiptare ende vijon të jetë e izoluar, patriarkane dhe gratë janë të destinuara të vuajnë.
Prethi vlerëson se kjo pamje duhet të ndryshojë nga rrënjët dhe që gratë duhet të inkurajohen dhe të bisedojnë për dhunën që përjetojnë.
“Po përmend disa shifra që qartësojnë mentalitetin në shoqërinë tonë. Një në dy gra pretendon se dhuna mes mashkullit dhe femrës në familje është çështje private. Një në katër gra beson se kur gruan e rreh burri, egziston mundësia që edhe ajo të jetë fajtore. Një në katër gra ka turp të denoncojë dhunën ndaj saj dhe të diskutojë për të me dikë jashtë familjes. Duket se dhuna ndaj grave vijon të konsiderohet temë shumë e ndjeshme, ndaj mendoj se numri i raportimeve është më i ulët se numri real i rasteve të dhunës. Sigurisht, dhuna ndaj grave në Shqipëri është e lidhur me traditën. Ne vijmë nga një e kaluar e tillë. Kur një në katër gra mendon se mund të rrihet kur është fajtore, çfarë mund të mendojnë burrat” konkludoi Prethi.
0 komentet