Avokatët: Prokuroria speciale e solli mbrojtjen në një situatë të pafavorshme, vendim i drejtë i gjykatës

Ljubomir Pantović
Burim: Kosovo Online

Avokatët Ljubomir Pantoviq, Millosh Deleviq dhe Jovana Filipoviq, të cilët përfaqësojnë të pandehurit në rastin Banjska, pas seancës së shtyrë theksuan se gjykata ka marrë vendim të drejtë me ndërprerjen e seancës së sotme, duke theksuar se shkresat e lëndës u janë dorëzuar atyre para një ditë e gjysmë, vetëm në formë elektronike, dhe se nuk mund të përgatisnin një mbrojtje në një kohë kaq të shkurtër.

Avokati Ljubomir Pantoviq tha se Prokuroria Speciale e ka vënë mbrojtjen në një situatë të pafavorshme.

“Prokuroria Speciale e vendosi mbrojtjen në një situatë të pafavorshme, duke na dhënë aktakuzën prej 158 faqesh, si dhe mijëra faqe materiale, vetëm një ditë e gjysmë para fillimit të gjykimit fillestar. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme në fazën e procedurës dhe nuk ka qenë e mundur që të përgatiten në një kohë kaq të shkurtër për një çështje kaq të rëndësishme. Të akuzuarve që janë në gjyq, të cilët përballen me një dënim të lartë, nuk u është dorëzuar aktakuza, kështu që ata as nuk e dinë se për çfarë akuzohen. Gjyqtari nuk ka gabuar që ka shtyrë seancën fillestare”, tha ai.


Për gjykimin në mungesë, të cilin prokurori e propozoi sot, e që i referohet 42 personave nga aktakuza, ai tha se beson se nuk është e mundur, duke pasur parasysh këtë zgjidhje ligjore të Kodit të Procedurës Penale.

“Të gjitha paqartësitë sipas ligjit interpretohen në favor të të pandehurve, kështu që mbetet të shihet se çfarë do të vendosë Gjykata Supreme”, tha Pantoviq.

Avokati Milosh Deleviq theksoi se mbrojtja nuk kishte kohë të mjaftueshme për t'u konsultuar me klientët e saj.

“Seanca është shtyrë dhe do të kemi kohë të mjaftueshme për të studiuar dosjet dhe që të pandehurit të deklarohen për fajësinë”, tha ai.

Siç ka thënë, Toliq, i cili është plagosur më 24 shtator, i është nënshtruar dy operacioneve dhe ende është duke ecur me paterica.

“Ju e dini se Toliq është plagosur një vit më parë, ai ka bërë dy operacione, i dyti ka qenë i suksesshëm, aktualisht është duke ecur me paterica, por së shpejti do të shërohet”, tha Deleviq.

Avokatja Jovana Filipoviq theksoi se pranimi i fajësisë nga Dushan Maksimoviq nuk është kontestues, por problemi është se mbrojtja të ketë afat për paraqitjen e kundërshtimeve ndaj provave dhe kërkesave për hudhjen e aktakuzës.

“Mendoj se gjykata ka marrë një vendim të drejtë kur e ka ndërprerë procedurën, gjegjësisht e ka shtyrë për një periudhë të caktuar kohore”, tha Filipoviq.