Dy shqiptarë të arrestuar në Horgosh dyshohen se në vitin 1999 kanë marrë pjesë në rrëmbimin dhe vrasjen e serbit Marko Jelliq në Rahovec
Dy shqiptarë, të arrestuar në pikëkalimin kufitar të Horgoshit, H. E. (49) dhe B. E. (52), dyshohen se si pjesëtarë të UÇK-së kanë marrë pjesë në rrëmbimin dhe vrasjen e serbit Marko Jelliq në Rahovec, në gusht të vitit 1999, shkruajnë “Večernje novosti”.
Ata akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile dhe dyshohet se më 9 gusht 1999, në Rahovec, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, duke përdorur forcë fizike, armë zjarri dhe kërcënime serioze për jetën, rrëmbyen civilin me kombësi serbe Marko Jelliq dhe e dërguan në drejtim të panjohur. Që nga ajo ditë, i rrëmbyeri nuk është parë më, i është humbur çdo gjurmë dhe ende figuron si person i zhdukur, thuhet në tekst.
Ndryshe, rasti i rrëmbimit dhe vrasjes së Marko Jelliqit nga shtëpia e tij në Rahovec përfshihet edhe në aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë. Ata janë të akuzuar për 43 ndalime të paligjshme të 407 të ndaluarve, shumica dërrmuese e të cilëve ishin serbë, dhe nga të cilët të paktën 102 janë vrarë pa dyshim.
Në këtë aktakuzë thuhet se Jelliqi është parë për herë të fundit në paraburgimin e UÇK-së dhe se anëtarët e familjes së tij janë maltretuar për ditë të tëra pas rrëmbimit të tij. Babai i tij është rrahur, nëna dhe gruaja janë maltretuar, ndërsa pasuria e tij është shkatërruar dhe plaçkitur.
Gruaja e Markos, Stamena, dëshmoi përmes video-linkut në tetor të vitit të kaluar në gjyqin kundër Thaçit dhe tre udhëheqësve të tjerë të UÇK-së. Ajo tregoi se më 9 gusht, ndërsa ishin në shtëpi me fëmijët e tyre dy dhe tre vjeç, në shtëpi iu futën tre pjesëtarë të UÇK-së – dy me uniformë dhe një me civilë. Të gjithë ishin rreth 20 vjeç dhe e morën Markon. Ajo tregoi se të njëjtët persona ishin kthyer disa ditë më vonë dhe kishin kërkuar para për ta liruar atë. Sipas saj, ata ishin nga Rahoveci, dhe njërin prej tyre ajo e kishte njohur, pasi banonte në lagjen e tyre dhe mbiemri i tij ishte Bugari.
Ajo tregoi gjithashtu se vjehrra e saj kishte shkuar te komandanti i UÇK-së në Rahovec, Ismet Tara, dhe e kishte lutur që t’ia lironin të birin, por pa sukses.
Stamena Jelliq në sallën e gjyqit tha edhe se para Markos, në qershor të vitit 1999, në lagjen e tyre në Rahovec, UÇK kishte rrëmbyer edhe disa serbë të tjerë, të cilët i kishin mbajtur të mbyllur në stacionin e policisë dhe në shtëpinë e zjarrfikësve. Më vonë ishte gjetur vetëm trupi i pajetë i Panta Grkoviqit.
Përpara rrëmbimit, Marko Jelliq punonte si përkthyes për përfaqësuesin e Osbe, Frank Ledvidge, të cilit familja ia raportoi rrëmbimin e tij, siç është raportuar gjithashtu në Kfor. Siç thotë Stamena Jelliq, Ledvige i nxori ata nga Kosova në Mal të Zi pas kësaj, kështu që ata vazhduan të jetonin në Berane.
"Mbi të gjitha, do të donim të dinim se çfarë i ndodhi Markos, të gjenim të paktën disa eshtra për ta varrosur me dinjitet, të dinim se ku është, të shkonim dhe të qanim kur të ishim në telashe", ka deklaruar Stamena Jelliq në gjyq.
0 komentet