Islami: Nevojitet strategji dhe koordinim ndërinstitucional, të rritet numri i policëve në terren
Eksperti i sigurisë Avni Islami ka deklaruar se për përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë nevojiten masa të koordinuara nga të gjitha institucionet, përfshirë një strategji për parandalimin e krimeve. Ai veçoi rëndësinë e shtimit të pranisë së patrullave policore në terren.
Duke iu referuar numrit gjithnjë në rritje të vrasjeve në Kosovë, Islami tha se të gjitha institucionet duhet të jenë të përfshira në parandalimin e këtyre rasteve.
“Të gjitha institucionet e Kosovës duhet të hartojnë strategji, jo vetëm ato që kanë forcën e ligjit siç është policia. Kryetari i komunës, asamblistët, organizatat joqeveritare, nga kryeministri e deri te të gjitha ministritë, së bashku me Agjencinë për Menaxhimin e Situatave Emergjente… Të gjithë duhet të jenë aktivë dhe të menaxhojnë lëvizjen e qytetarëve, si dhe vendet ku njerëzit mund të mblidhen,” deklaroi ai.
Islami konsideron se është e domosdoshme të rritet numri i policëve në terren, si atyre me uniformë, ashtu edhe atyre me rroba civile. Në këtë mënyrë, sipas tij, personat që janë të gatshëm të kryejnë ndonjë vepër penale nuk do të ndiheshin të sigurt.
“Duhet të vendosen pika statike nga ana e policisë, dhe veçanërisht është me rëndësi që policia të patrullojë në këmbë, e jo vetëm me makina, sepse uniforma ka efektin e saj. Po ashtu, duhet të rritet numri dhe efikasiteti i policëve civilë, të cilët tashmë ekzistojnë. Ata që mendojnë të kryejnë ndonjë krim apo e kanë kryer tashmë, nuk duhet të ndihen të sigurt, qoftë për një grabitje apo për ndonjë vrasje të ardhshme,” përfundoi Islami.
komentet