Koçoski: Maqedonia prej 30 vitesh ka “emigrim veror”, ndërsa destinacioni më i kërkuar është Kroacia

Zoran Kočoski
Burim: Kosovo Online

Drejtori i Agjencisë për Ndërmjetësim në Punësim Jashtë Vendit „Kouzon“ nga Shkupi, Zoran Koçoski, deklaroi se punëtorët sezonalë nga Maqedonia tashmë prej 30 vitesh gjatë verës kërkojnë punë jashtë vendit, ndërsa, ndryshe nga periudha e mëparshme kur destinacionet më të preferuara ishin Gjermania dhe Greqia, tani destinacioni dominues është Kroacia.

„Tradicionalisht, Maqedonia tashmë rreth tridhjetë vjet ka një emigrim që gjatë periudhës verore, nga fillimi i prillit deri në fund të tetorit, largohet jashtë vendit për të punuar sezonalisht. Kroacia është bërë veçanërisht tërheqëse gjatë shtatë apo tetë viteve të fundit për shkak të ofertave, para së gjithash në sektorin e turizmit“, tha Koçoski për Kosovo online.

Ai rikujtoi se më herët, në mesin e viteve 2000, destinacionet më të njohura ishin Gjermania dhe Greqia.

„Më pas migrimi u zhvendos pjesërisht në Mal të Zi dhe pjesërisht në Itali. Por gjatë shtatë apo tetë viteve të fundit migrimi më i madh është drejtuar qartësisht drejt Kroacisë. Ky është një trend që do të vazhdojë edhe për disa vite, derisa pagat ose një pjesë e tyre të barazohen me ato që ofron tregu kroat. Tashmë në rajon po vërehet një tendencë e rritjes së pagave në Maqedoni, Serbi, Kosovë dhe Shqipëri. Pagat po afrohen me ato që marrin të rinjtë në Kroaci. Sinqerisht, presim që edhe kroatët të vendosin kufizime të caktuara, sepse fuqia punëtore nga Ballkani po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme për tregun e tyre“, shpjegoi Koçoski.

Sipas tij, gjatë sezonit veror vendet më të paguara të punës janë në turizëm dhe hoteleri.

„Kuzhinierët profesionistë mund të fitojnë nga 3.000 deri në 3.500 euro. Kamerierët profesionistë që punojnë në restorante prestigjioze fitojnë rreth 2.500 euro, ndërsa të ardhurat mesatare të të rinjve variojnë nga 1.200 deri në 1.800 euro. Këto janë pagat që ofrohen kryesisht në tregun kroat, ndërsa destinacionet e tjera, si Mali i Zi, e deri diku Greqia, Bullgaria dhe Shqipëria, ofrojnë të ardhura më të ulëta“, tha Koçoski.

Ai theksoi gjithashtu se profesionet më të vështira nuk janë domosdoshmërisht edhe më të paguarat.

„Puna në ndërtimtari është e rëndë, por të rinjtë shumë rrallë zgjedhin të punojnë në këtë sektor. Kroacia nuk ka një sezon të theksuar ndërtimi gjatë verës, sepse punimet ndërtimore ndalohen gjatë sezonit turistik. Ka oferta pune me pagesë të mirë në Gjermani, por për shkak të krizës ekonomike në Gjermani këtë verë, numri i punëtorëve sezonalë që shkojnë atje është ulur“, tha Koçoski.

Ai shtoi se pritshmëritë e atyre që kërkojnë punë sezonale nuk përmbushen gjithmonë dhe se, për shembull, tregu kroat është bërë mjaft përzgjedhës, duke kërkuar një nivel më të lartë profesionalizmi.

„Me përgjegjësi të plotë mund të them se ne nuk kemi aq profesionistë në hoteleri sa kërkon tregu kroat apo tregjet e vendeve të tjera mesdhetare, ku punojnë të rinjtë në këtë sektor. Tashmë po vendosen kufizime të caktuara për pozicionet e punës që ofrojnë paga më të larta“, përfundoi Koçoski.