Turinski: Për të rinjtë, punët sezonale më tërheqëse janë në sektorin e hotelerisë në Adriatik
Të rinjtë në mbarë rajonin janë të interesuar për punë sezonale, ndërsa më tërheqëset për ta janë ato në sektorin e hotelerisë, veçanërisht në bregdetin e Adriatikut – në Kroaci dhe Mal të Zi, deklaroi zëdhënësi i Infostud-it, Millosh Turinski, duke shtuar se prej vitesh është në rënie interesi për punët në bujqësi në Serbi.
„Të rinjtë sigurisht që janë të interesuar për punë sezonale, por këtu duhet bërë një ndarje e qartë dhe të theksohet se cilat punë i tërheqin ata në të vërtetë dhe pse. Më tërheqëset për ta janë punët në sektorin e hotelerisë dhe ato që lidhen me punën në bregdetin e Adriatikut, si në Kroaci dhe Mal të Zi“, tha Turinski për Kosovo online.
Ai shtoi se, nga ana tjetër, nga viti në vit të rinjtë po tregojnë gjithnjë e më pak interes për punët në bujqësi që lidhen me punën në Serbi dhe në ambiente të hapura, gjë që ka krijuar një problem të madh në gjetjen e fuqisë punëtore.
„Këto janë punë të rënda fizike, që shpesh zgjasin 12 ose më shumë orë në ditë. Edhe pse pagesa ditore është e mirë dhe mund të fitojnë rreth 50 euro në ditë, ata preferojnë punët që lidhen me Adriatikun, sepse mendojnë se po bashkojnë të dobishmen me të këndshmen – të jenë pranë detit dhe të bëjnë një punë disi më të lehtë. Megjithatë, realiteti në terren, të cilin shumë të rinj nuk e kuptojnë, është se as punët në hoteleri nuk janë të lehta. Fitimet mujore janë të mira, por edhe aty shpesh punohet më shumë se 10 orë në ditë, gjashtë ditë në javë. Kanë vetëm një ditë pushimi, të cilën mund ta shfrytëzojnë për kohë të lirë dhe aktivitete personale“, shpjegon Turinski.
Sipas tij, të rinjtë nga rajoni janë të gatshëm të udhëtojnë në një shtet tjetër për shkak të punës.
„Më së shpeshti zgjedhin Kroacinë dhe Malin e Zi, sepse bashkojnë të dobishmen me të këndshmen – qëndrojnë pranë detit dhe puna u duket më tërheqëse. Megjithatë, ky nuk është i vetmi motiv. Ata zgjedhin këto vende edhe për shkak të njohjes së gjuhës dhe komunikimit më të lehtë, veçanërisht ata që vijnë nga Serbia përmes Malit të Zi ose Kroacisë. Nga ana tjetër, pagat janë arsyeja kryesore pse zgjidhen këto punë. Nuk janë vetëm punët në hoteleri ato që janë më tërheqëse. Në Adriatik ka shumë lloje punësh dhe mundësish. Ka punë ndihmëse në kuzhina, kërkohen animatorë dhe fotografë në hotele, recepsionistë dhe njerëz që merren me turizëm në forma të ndryshme. Gama e këtyre punëve është e larmishme. Për këtë arsye edhe oferta e vendeve të punës është më e gjerë dhe më e madhe, ndaj edhe interesi i njerëzve nga i gjithë rajoni për të shkuar drejt bregdetit të Adriatikut është shumë më i madh. Veçanërisht në Kroaci, e cila ka një ofertë më të zhvilluar turistike dhe, rrjedhimisht, edhe më shumë vende pune“, përfundoi Turinski.
0 komentet