Shahini: Me sistemin e ri të kontrollit kufitar, BE kërcënon lëvizjen e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor

sahini.jpg
Burim: Kosovo Online

Kryetari i Aleancës së Biznesit nga Prishtina Agim Shahini tha se sistemi i kontrollit EES nëpër kufi, paraqet problem jo vetëm për shoferët e kamionëve, por dhe për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se BE ndaj tyre zbaton standarte të tjera.

Ai tha se shoferët kanë arsye për pakënaqësi për shkak të trajtimit nëpër kufi.

“Ky është një problem i madh jo vetëm për shoferët e kamionëve por dhe për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Shoferët me të vërtetë kanë të drejtë që të ankohen, të bllokojnë rrugët për atë që ne në Ballkan vazhdojmë të trajtohemi si qytetarë jashtë Europës” ka thënë Shahini.

Ky i fundit vlerëson se Unioni Europian zbaton të tjera standarte ndaj qytetarëve të rajonit.

“Dhe kjo nuk është mirë sepse kjo kërcënon lëvizjen e lirë, të drejtën njerëzore, pasi pavarësisht nëse jetojmë në Kosovë apo Bruksel, ne jemi njerëz. Çdokush nëse është punëtor apo artist, nëse është biznesmen apo politikan, çdo njeri dëshiron të jetojë mirë, i qetë dhe të ketë qëndrimin e vet, ndërsa Unioni Europian ka standarte të tjera për ne” tha ai. Duke folur për pasojat ekonomike, tha se bllokadat kanë ndikim direkt tek ekonomia dhe krijojnë humbje të mëdha në ekonomi.

Nga ana tjetër, thotë, Unioni Europian ka politikë shtrënguese ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Megjithatë, Unioni Europian kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, ka politika shtrënguese dhe unë mendoj se kjo është kundërproduktive me standartet europiane dhe të drejtat e njeriut, pavarësisht se nga cilat shtete vijnë”, tha Shahini.