Sllobodanka Gjokiq: Gjithçka është shkatërruar, nuk dimë sesi do ja bëjmë më tej
Sllobodanka Gjokiq nga Radeva afër Lipjanit pronare e godinës ku mbrëmë u dogjën objektet ndihmëse, ka shprehur shqetësim sesi familja e saj do vazhdojë të merret me bujqësi duke ditur sikurse thekson, flakët përfshinë pajisjet për punimin e tokës, sanë, tërfil dhe rimorkion me misër.
Gjokiq ka thënë se zjarri ndodhi rreth orës 21:30 ndërsa anëtarët e familjes së saj ishin mbledhur në shtëpi.
Për zjarrin e njoftoi fqinja.
“Ishte mbrëmja e dytë e Vitit të Ri. Fqinja na tha se po digjej plevica. Atëherë djemtë shkuan së bashku me burrin. Kur arritën në vendngjarje, gjithçka ishte djegur, tërfili ishte i pari që ishte djegur. Kanë qenë makina me pajisjet. Të gjitha lidhjet e mundshme të traktorit kanë qenë aty, dy freza, ciklon për mbjellje, dy rimorkio, njëra prej të cilave ishte plot me misër me thasë, 3000 balona sanë dhe rreth 500 balona tërfili. Kishim gjithëfarëlloj gjërash aty, dru zjarri, lëndë druri, materiale që i ruanim për të rinovuar diçka” ka thënë Gjokiq.
Objekti ishte i madh duke qenë se familja merret me bujqësi.
Gjokiq mes lotësh rrëfen se në vendngjarje erdhën inspektorët dhe policia ndërsa ekipi zjarrëfikës ka punuar përgjatë gjithë natës.
Megjithatë, flaka ende vijon të djegë, ndërsa objekti, si dhe gjithçka në të u shkatërrua plotësisht.
“Merreshin me shuarjen e zjarrit dhe nuk arrinin dot, ende digjet. Nuk di cfare t’ju them. Kjo është humbje e madhe për familjen tonë që jeton prej saj. Nuk punojmë kund as unë e as bashkëshorti, ai tani kalon në pension, unë ende asgjë. Jetojmë prej tokës, duke kultivuar tetë hektarë nga toka jonë, gjithsej 29 hektarë, me sanë dhe tërfil. Tani çështja është nëse do të mund të punojmë. Nuk kemi makineri, nuk kemi asgjë, na mbetën vetëm traktorë, por nuk mund të punojmë vetëm me to” ka thënë Gjokiq, duke shtuar se ky fis ishte “shtëpi e dytë” për ta.
Ajo thekson se policia i pati pyetur nëse familja dyshon tek dikush. Megjithatë sikurse thotë, askush nga shtëpiakët nuk pa asgjë.
“Dëgjuam vetëm lehjen e qenit. Fqinji pa zjarrin, na foli dhe menjëherë shkuam, por ishte vonë. Bari ishte i thatë dhe asgjë nuk mund të bëhej, veçse kemi qenë të kujdesshëm që zjarri të mos përhapej në fshat për të mos prekur banesat e fqinjëve” kujton ajo incidentin e djeshëm në godinën e saj.
Kjo është hera e dytë që familjes Gjokiq i vihet flaka.
Zyra për Kosovë e Metohi deklaron se me djegijen e objekteve ndihmëse të familjes Gjokiq, është sulmuar direkt ndaj egzistencës së kësaj familjeje të ndershme sërbe që merret me bujqësi dhe theksoi se së bashku me përfaqësuesit e vet ndodhen në terren për t’i dhënë ndihmë në këtë situatë.
Familjen Gjokiq sot e ka vizituar dhe kryetari i Komunës së Lipjanit Millan Joksimoviq.







0 komentet