Staroviq: Shoferët tanë nuk janë emigrantë ilegalë, insistuam për zgjidhje urgjente

Nemanja Starović
Burim: Facebook

Ministri për integrimin europian të Sërbisë Nemanja Staroviq ka theksuar se në video-takimin e sotëm me ministrat e Ballkanit Perëndimor me tre drejtorët e Drejtorive të Komisionit Europian insistuam për zgjidhje urgjente të problemit të autotransportuesve.

“Konstatuam se lajmi i mirë është se u prezantua versioni i punës së strategjisë së re të vizave por dhe kjo nuk është e mjaftueshme pasi rruga deri në rregullim, është e gjatë ndërsa ne nuk kemi kohë” ka thënë Staroviq për RTS.

Ai tha se pjesmarrësit nga Ballkani Perëndimor jo vetëm që u ankuan për problemet me të cilat ndeshen autotransportuesit, por paraqitën dhe disa zgjidhje.

“Është i lartë niveli i dakordësisë mes autotransportuesve nga Ballkani Perëndimor. Zgjidhjet që kemi ofruar janë në përputhje me iniciativat e shoqatave. Jemi të vetëdijshëm se rregulloret e Shengenit nuk janë të lehta të ndryshohen, por me pak vullnet të mirë, mund të punohet për ndryshimin e aktit implementues. Shoferët tanë profesionistë nuk janë emigrantë të paligjshëm. Kalimi, tranziti nuk është qëndrim”, theksoi Staroviq.

Ky i fundit shtoi se atyre i’u tha se po punohet për ndryshimin e aktit implementues, ndërsa si propozim, i cili u mirëdëgjua, u paraqit që KE duhet t'u tregojë shteteve anëtare se kanë një lloj qasjeje "bona fide", pra që rregullin për shoferët profesionistë të mos e zbatojnë derisa të gjendet zgjidhje afatgjatë dhe të reagojnë vetëm me paralajmërim, largim vullnetar dhe jo me arrestim dhe deportim.

"Insistuam për zgjidhje urgjente, sepse nuk mund të presim me muaj dhe vite. Por kjo nuk është në duart tona. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me shoqatat tona të autotransportuesve. E vetmja zgjidhje e përhershme mund dhe duhet të jetë qasja e mbarë Ballkanit Perëndimor në hapësirën Shengen", nënvizoi Staroviq.

Ministri theksoi se Ballkani Perëndimor mbeti brenda "kafazit të zonës Shengen" dhe se, për arsye të ngjashme, Lihtenshtejni u pranua, kështu që mund të punojmë edhe për pranimin e rajonit tonë.

"Ne tashmë kemi një lloj rruge të përshpejtuar drejt Shengenit, sepse kemi miratuar të gjitha planet e veprimit. U tha se po punojmë paralelisht për anëtarësim në BE dhe Shengen me idenë që kjo të ndodhë në të njëjtën ditë dhe të mos presim me vite. Planin aktual mund t’a realizojmë deri në mesin e vitit 2027", shtoi Staroviq.

Ndërkaq, Komisioni Europian ka planifikuar në javën e dytë të shkurtit takim të ri në të cilin do të paraqitet zgjidhje kalimtare për problemet e autotransportuesve.

Transportuesit nga rajoni bllokuan terminalet e ngarkesave për disa ditë javën e kaluar për shkak të sistemit të ri për hyrje-daljet nga BE, por edhe reagimit joadekuat të Komisionit Europian dhe vendeve të Shengenit për çështjen e trajtimit të shoferëve profesionistë dhe kufizimin e qëndrimit të tyre në territorin Shengen.