Zyra për Kosovë dhe Metohi: Fati i gazetarëve serbë të rrëmbyer ende i panjohur, të ndalet fshehja e krimeve të UÇK-së
Zyra për Kosovë dhe Metohi ka kujtuar se në këtë ditë të vitit 1998, në rrugën Hoça e Madhe–Zoçishtë, u rrëmbyen gazetarët e Radio Prishtina, Gjuro Sllavuj dhe Ranko Pereniq, dhe se fati i tyre deri më sot nuk është zbardhur, pavarësisht përpjekjeve shumëvjeçare të familjeve, Republikës së Serbisë dhe shoqatave serbe të gazetarëve.
“Gjatë konfliktit në Kosovë dhe Metohi, gazetarët si dëshmitarë objektivë të një kohe të tmerrshme ishin shpeshherë shënjestër e terroristëve të “UÇK-së”, sepse qëllimi ishte që me çdo kusht dhe me mjetet më brutale të pengohej që e vërteta për krimet e separatistëve shqiptarë të arrinte tek opinioni vendas dhe ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Zyrës.
Shtohet se fakti që pllaka përkujtimore, të cilën e kishte vendosur Shoqata e Gazetarëve të Serbisë në shenjë kujtimi për kolegët e rrëmbyer, është vandalizuar dhe fyer disa herë, dëshmon se në Kosovë nuk ekziston klimë shoqërore për t’u përballur me të kaluarën dhe për të zbardhur shumë krime të kryera ndaj civilëve serbë.
“Sot në Kosovë dhe Metohi nga ana e Prishtinës nuk nderohen viktimat e pafajshme, por xhelatët e tyre, dhe ky është sistemi i vlerave dhe matrica ideologjike që gjatë dy dekadave e gjysmë të fundit e kanë ndjekur në mënyrë të qëndrueshme të gjitha organizatat politike në Prishtinë për t’i kthyer kriminelët në heronj”, thuhet në deklaratë.
Zyra për Kosovë dhe Metohi ka kërkuar që të ndalet fshehja e krimeve.
“Edhe këtë përvjetor të trishtueshëm e shfrytëzojmë si arsye që edhe një herë të kërkojmë në mënyrë të vendosur që, në emër të së vërtetës dhe njerëzimit, të vihet një pikë mbi fushatën sistematike të fshehjes së krimeve, sepse familjet e viktimave kanë të drejtë të patjetërsueshme të dinë cili është fati i më të dashurve të tyre, ndërsa e vërteta është edhe kusht për t’i dhënë fund përfundimisht mistifikimeve të ndryshme për “UÇK” terroriste dhe metodat e saj kriminale”, përfundon njoftimi.
komentet