Çfarë nuk është e mundshme për Karabakhun dhe është e mundshme për Kosovën
Shkruar për Kosovo onlajn: Dragan Biseniq, gazetar
Lidhja e Nagorno-Karabakut azerbajxhanas me Kosovën, u pa fill pas fillimit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës. Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 shkaktoi debat të gjerë rreth implikimeve të mundshme për konfliktin e Nagorno-Karabakut, përmes disa deklaratave, përfshirë këtu edhe prej disa armenëve të cilët sugjeronin të ndryshonin tërësisht situatën në Kaukazin Jugor, e nga ana tjetër të përfshinin edhe ata që i përkisnin palës azerbajxhanase dhe disa qeveri perëndimore që pretendonin se kjo nuk është e zbatueshme në mosmarrëveshjet territoriale të atjeshme.
Sapo filloi njohja e pavarësisë së Kosovës, ish kryeministri armen Serzh Sarkasjan në një intervistë për Rojtersin, tha se pavarësia kosovare do të forconte kërkesën armene që rajoni separatist i Nagorno-Karabakut të njihet si shtet. Kësisoj Sarkasjan lidhi statuset e Kosovës dhe Nagorno-Karabakut dhe arriti në përfundimin se Armenia është në një pozicion të favorshëm dhe se njohja e pavarësisë kosovare, mund të përshëndetet prej Armenisë. Tre dekada më vonë, gjërat po ecin në drejtim krejtësisht të kundërt me pritshmëritë e ish-kryeministrit armen dhe zgjidhja e re po ndërmjetësohet nga Uashingtoni dhe Brukseli së bashku me Moskën, me të cilën bashkë me çështjet e tjera në tërësi, është dhe konflikti ushtarak.
Nagorno-Karabaku është territor në brendësi të Azerbajxhanit ku në vitin 1991 u mor nën kontroll nga forcat armene duke e mbajtur për 30 vjet rresht. Përmes aksionit ushtarak të 2020, Azerbajxhani arriti të rikthente pjesën më të madhe të territorit të pushtuar. Ky aksion ushtarak u njoh dhe u mbështet nga shumica e vendeve perëndimore. Sot situata në Nagorno-Karabak po ndryshon dramatikisht.
Dy ditë më parë kryeministri armen Nikollaj Pashinjan deklaroi njohjen e sovranitetit azerbajxhanas në territorin e Nagorno-Karabakut. Pashinjan u shpreh se Azerbajxhani dhe Armenia mes tyre mund të njohin territorin e Armenisë prej 29.800 km2, pra territori i Azerbajxhanit me 86.600 km2 çka përfshin edhe enklavat. Çështjet që kanë lidhje me të drejtat dhe sigurinë e armenëve të Nagorno-Karabakut, duhet të diskutohen në formatin Baku-Stepankert, që është qendra armene në Nagorno-Karabakh.
Pashinian precizoi se këtu bëhet fjalë për qëndrim politik, ndërsa ende duhet të bisedohet rreth anës ligjore. Ai precizoi se egzistojnë dy opsione-ose këto enklava të mbeten kështu siç janë, ose “de jure” të kthehen në sovranitetin e vendeve.
Zhvillim të madh në negociata, u shënua në fillim të majit, kur ministrat e jashtëm të Armenisë dhe Azerbajxhanit ishin katër ditë në Uashington, ku biseduan së bashku me sekretarin amerikan të shtetit Entoni Blinken. Bisedimet filluan kur Blinken, i cili inicioi samitin, u takua me dy ministrat e jashtëm pasi foli me ta veçmas.
Në fund të këtyre bisedimeve, Blinken tha se Jerevani dhe Bakuja janë "afër një marrëveshjeje". Negociatat më tej i kaluan Bashkimit Europian, por në to gjatë gjithë kohës përfshihej edhe Moska. Kjo është e vetmja situatë paradoksale ku të tre palët, Rusia, SHBA dhe BE të cilat, meqë ra fjala, janë në konfliktin më të ashpër ushtarak të tërthortë prej 15 muajsh në Ukrainë, janë në të njëjtën kohë partnerë në tryezën diplomatike për një çështje krejtësisht tjetër dhe këto negociata po ecin mjaft mirë.
Është paradoksale që këto negociata mes Armenisë dhe Azerbajxhanin për ri-integrimin e Nagorno-Karabakut në territorin e Azerbajxhanit, udhëhiqen nga zyrtarë të Bashkimit Europian dhe SHBA dhe në të njëjtën kohë, këtë herë pa asnjë përfshirje të Moskës, ndërmjetësojnë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, vetëm se në këtë të fundit qëllimi përfundimtar është krejtësisht i ndryshëm. Ky qëllim ndonëse jo i beftë vetëm sepse nuk është realist, është njohja e Kosovës si shtet i pavarur shkëputur nga Sërbia. Kjo në mënyrë të panumërt është bërë e ditur prej zyrtarëve të SHBA, përfaqësues të shteteve anëtare të BE por edhe ndërmjetës të përfshirë në dialog.
Në negociatat armeno-azerbajxhane janë të përfshirë funksionarët më të lartë të Bashkimit Europian, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Lajen, presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian Sharl Mishel, përfaqësuesi për politikën e jashtme Zhozef Borelli. Një takim të tillë të fundit u mbajt në Bruksel më 14 maj kur u diskutua për përcaktimin e territorit. Në deklaratën nga takimi thuhej se udhëheqësit e Azerbajxhanit dhe Armenisë riafirmuan angazhimin e tyre ndaj Deklaratës së Alma-Atës së vitit 1991.
“Liderët sërish rikonfirmuan respektimin e integritetit territorial të Armenisë me 29,8 mijë km2 dhe Azerbajnxhanit me 86,6 mijë km2” u shpreh Sharl Mishel në konferencën për gazetarët.
Përcaktimi territorial duhet të bëhet publik në bazë të hartës së Shtabit të Përgjithshëm të BRSS të vitit 1975 për të cilën kryeministri armen thotë se "mundet dhe duhet të mbetet themel për punën e përcaktimit territorial". Tërheqja e trupave të të dy vendeve duhet të përputhet gjithashtu në bazë të këtyre kartave. Kjo ishte parashikuar nga marrëveshja e arritur në Pragë më 6 tetor të vitit 2022 rreth njohjes së integritetit territorial të ndërsjellë dhe përcaktimit territorial të Armenisë dhe Azerbajxhanit në përputhje me Deklaratën e Alma Atës të vitit 1991” tha ai.
Roli i Moskës, megjithatë, nuk ndalet vetëm me përdorimin e kartave ushtarake. Ilham Aliev dhe Pashinjan do të takohen më 25 maj në Moskë ndërsa ministrat e jashtëm të Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë u takuan në Moskë më 19 maj. Pas takimit, shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov tha se Armenia dhe Azerbajxhani arritën të përafrojnë vizionin e përbashkët rreth marrëveshjes së paqes.
“Palët kanë filluar të punojnë për këtë dhe tani është duke u diskutuar aktivisht, përfshirë dhe pjesëmarrjen e ndërmjetësuesve të tjerë. Ministrat armenë dhe azerbajxhanas udhëtuan në Uashington, presidentët e Armenisë dhe Azerbajxhanit ishin në Bruksel një javë më parë. Puna për një marrëveshje paqeje është, natyrisht, fondamentale" tha Lavrov.
Sipas fjalëve të tij, përfaqësuesit e vendeve biseduan në mënyrë “komplekse” rreth situatës. Ministri i punëve të jashtme të Armenisë, Ararat Mirzojan, deklaroi se vendi është i gatshëm për negociata paqeje në Kaukazin Jugor. Mirzojan shtoi se korridori i Laçinit duhet të mbetet nën kontrollin rus.
Për takimin e ardhshëm me Putinin, është bërë e ditur mundësia e nënshkrimit të marrëveshjes së paqes madje, kryeministri armen u tregua skeptik në lidhje me këtë. Kështu pra, rezultati është ky: SHBA dhe BE udhëheqin negociatat, ndërsa lejen për marrëveshjen e paqes, e jep, e garanton dhe e vulos Moska.
Natyrisht, e gjithë kjo gjë e pashmangshme, të çon në pyetjen sesi diçka është e mundur në Azerbajxhan dhe e njëjta gjë nuk është e mundur në Sërbi, pra-si mundet krejtësisht në mënyrë të kundërt zgjidhjen e kërkojnë dhe e presin për Sërbinë? E derisa për këtë çështje nuk gjendet përgjigje e qartë dhe e përshtatshme, duket se nuk do të jetë e mundur të arrihet një zgjidhje kompromisi në Ballkan që do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit dhe kësaj pjese të Europës.
komentet