Dirk Shibel nis mandatin e ambasadorit të BE në Kosovë dhe bën thirrje për formim të shpejtë të institucioneve

Dirk Šubel
Burim: EU

Dirk Shibel mori detyrën e ambasadorit të Unionit Europian në Kosovë, si shef i Zyrës së Unionit Europian në Kosovë dhe përfaqësues special i BE, ka publikuar Zyra e Unionit Europian në Prishtinë. Shubel tha se do të mbështesë të ardhmen europiane të Kosovës dhe bëri thirrje për formimin e shpejt të institucioneve.

Shibel është zyrtar i lartë i BE dhe shtetas gjerman me eksperiencë të gjatë diplomatike dhe karrierë kryesisht të orjentuar në politikën e jashtme të BE.

"Me padurim po pres bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, aktorët politikë, shoqërinë civile, median dhe të gjitha komunitetet, që të ndihmoj Kosovën multietnike të përparojë në rrugën drejt integrimit në BE, barabartësisht me të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor", tha Shibel.
Ai më parë ishte ambasador i BE dhe shef i Delegacionit të BE në Bjellorusi nga viti 2019 deri në vitin 2022 si dhe në Moldavi nga viti 2009 deri në vitin 2013. Funksionin e fundit e pati në krye të Sektorit për Rusinë në Shërbimin Europian të Punëve të Jashtme.

"Do t’a mbështes të ardhmen europiane të Kosovës. Puna për arritjen kërkon angazhimin e mbarë shoqërisë dhe angazhim të përbashkët në atë që integrimi në BE të jetë prioritet pavarësisht ndasive politike. Gjithashtu do të mbështes angazhimin konstruktiv të Kosovës në dialogun mes Beogradit dhe Prishtines me ndërmjetësimin e BE dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesin special të BE për dialogun, Peter Sorensen", theksoi ai. 

Duke shprehur mirënjohje për përafrimin vullnetar të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE, Shubel theksoi se Unioni Europian do të vazhdojë të jetë pranë Kosovës duke u mbështetur në më shumë se 25 vjet mbështetje që nga viti 1999, si partneri i saj më i fortë dhe më i besueshëm dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, bëhet e ditur në njoftim. 

BE, Kosovës i ka ofruar më shumë se 3.7 miliardë euro ndihmë, nga rindërtimi, ndërtimi i institucioneve dhe sundimi i ligjit, e deri tek zhvillimi ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë.

Shubel bëri thirrje për formimin e institucioneve sa më shpejt çka do t'i mundësonte Unionit Europian të angazhohej plotësisht në Kosovë dhe të ofronte ndihmën që është në dispozicion.

"Para nesh është periudhë e rëndësishme mundësish. Për të mirën e të gjithë qytetarëve, Kosovës i nevojiten institucione funksionale të afta për të zbatuar reformat e nevojshme dhe për të shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes së BE dhe fonde të konsiderueshme nga fondet IPA që do të vijnë së shpejti. Shfrytëzimi i këtyre mundësive kërkon përgjegjësi politike, institucione efikase dhe fokus të qartë në reforma dhe axhendën e integrimit europian", tha ai. 

Si ambasador i BE, Shibel do të ofrojë këshilla dhe mbështetje nga BE tek proceset politike dhe do të inkurajojë koordinimin e përgjithshëm politik të BE në Kosovë. Do të mbikëqyrë angazhimin dhe bashkëpunimin e BE me Kosovën, përfshirë reformat që lidhen me rrugën e saj drejt integrimit në BE.
Në kryerjen e detyrave, Shibel do të ndihmohet nga zv.shefi i ri i Zyrës së BE në Kosovë, Aleksis Hupin, konkludohet në njoftimin e Zyrës së BE në Kosovë.